Prokuroria Themelore në Pejë është duke zhvilluar hetime intensive lidhur me vrasjen e rëndë që ndodhi të premten mbrëma në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë, ku një grua u privua nga jeta nga djali i saj.
Ky i fundit është në ndalim prej 48 orësh dhe ndaj tij prokurorja e rastit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Seanca gjyqësore lidhur me këtë rast është mbajtur të shtunën dhe prokuroria është në pritje të vendimit të gjykatës.
Kështu ka deklaruar për Telegrafin zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, i cili ka bërë të ditur se i pandehuri është i moshës rreth 30-vjeçare, ndërsa viktima rreth 58.
Nikçi tutje ka thënë se një rast i tillë nuk ka ndodhur më parë, ndërsa ka shtuar se hetimet janë në fazën konfidenciale dhe deri më tani nuk mund të bëjnë publike asgjë.
“Një rast i tillë nuk ka ndodhur më parë. Prokuroria dhe Policia janë duke zhvilluar hetime intensive në mënyrë që ky rast të ndriçohet në plotëni. Në vendin e ngjarjes, Policia e Kosovës është përgjigjur në afat shumë të shpejtë dhe ka arritur ta arrestojë personin e dyshuar”.
“I njëjti me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë. Prokurorja ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit dhe ka marrë pjesë në seancën gjyqësore që është mbajtur të shtunën, ku ka arsyetuar kërkesën. Tashmë po presimin vendimin e gjykatës”, ka deklaruar ai.
Nikçi ka shtuar se në vendin e ngjarjes janë siguruar disa prova si dhe mjeti me të cilin është kryer vepra e rëndë penale. Telegrafi mëson se bëhet fjalë për mjet të mprehtë.
“Janë siguruar edhe disa dëshmitarë okularë, por meqenëse rasti është shumë i ndjeshëm duhet t’i kursejmë anëtarët e familjes, që mos t’i lëndojmë më shumë”, është shprehur ai.
Zëdhënësi i Prokurorisë gjithashtu ka bërë të ditur se trupi i pajetë i viktimës është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, ndërkaq tashmë po presin raportin e mjekut ligjor.
Ndërsa prokurorja e këtij rasti tragjik, Sahide Gashi, ka deklaruar të premten se i dyshuari për vrasjen e nënës së tij, nuk ka qenë në gjendje të japë deklaratë.
“Kemi dalë në vendin e ngjarjes së bashku me njësitin e forenzikës ku janë izoluar të gjitha gjurmët, janë mbledhur të gjitha provat kemi urdhëruar autopsinë e t ndjerës, gjithashtu kemi siguruar autorë okularë të ngjarjes. Kemi provuar që të dyshuarin të marrim në pyetje, mirëpo i njëjti nuk ka qenë në gjendje, në prani të mbrojtësit kështu që kemi urdhëruar që nesër në prezencën e psikologut dhe avokatit mbrojtës të provohet të merret deklarata e tij”, ka thënë Gashi një konferencë për media.
Ajo ka shtuar se në bazë të rrethanave, do të urdhërojnë edhe ekzaminimin e të dyshuarit në Instituin e Psikiatrisë Forenzike.
Vrasja e 58-vjeçares ka tronditur vendin dhe ka nxitur reagime të shumta. E nga shoqëria civile kanë kërkuar që të bëhet më shumë për mbrojtjen e grave./Telegrafi/