Prokuroria Themelore e Prishtinës ka autorizuar Policinë e Kosovës që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për rastin me pacientin i cili vdiq dy ditë më parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas një operacioni të rrallë në zemër.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë në Prishtinë, Laureta Ulaj.
Sipas saj, në rast të ndonjë paraqitjeje së elementeve të ndonjë vepre penale do të veprohet tutje.
“Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë të ndërmarrin veprimet e nevojshme, me qellim të sqarimit të kësaj çështjeje dhe eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të ndonjë vepre penale, do të veprohet tutje me këtë rast”, ka thënë ajo.
Ndryshe, kirurgu i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Kushtrim Shala, e kishte shpërndarë një operacion si të suksesshëm në rrjetet sociale, por në fakt pacienti ka ndërruar jetë disa orë pas intervenimit.
Të mërkurën, Shala e ka paraqitur si sukses operacionin “David” të një pacienti me diseksion akut të aortës dhe rupturë në nivel të rrënjës së saj.
Siç ka thënë vetë ai në postimin e tij në Facebook, ky është nga operacionet e rralla që kryhet kryesisht në qendra të mëdha me volum dhe eksperiencë afatgjatë dhe të specializuara për kirurgjinë e aortës.
Por, në fakt, operacioni nuk ka pasur sukses, pasi pacienti ka vdekur pas disa orësh.
Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, ka thënë se Shala ka kryer një operacion për të cilin është dashur përvoja të cilën nuk e ka pasur.
Ai për Telegrafin tha se ka kërkuar që ky rast të hetohet, ndërsa ka deklaruar se në koordinim me drejtorinë e ShSKUK-së do të merren masat e nevojshme.
E, ndaj deklarimeve të drejtorit Brahimaj ka reaguar kardiokirurgu Shala, përmes një postimi në Facebook, duke thënë se “Rifat Brahimaj, pa qenë fare prezent dhe pa patur fare idenë për gjendjen e pacientit në pranim, rrjedhën e trajtimit (operacionit) dhe gjendjen në dalje të operacionit, pa kontaktuar fare me mua si kardiokirurg operator dhe pa kërkuar sqarim për rrjedhjen e operacionit (që ka të drejtë ta bëjë në cilësinë e u.d. drejtorit) thërret mediat dhe u flet për operacionin tim e madje dhe këtë e bënë duke qenë në pushim vjetor”.
Ndërsa, kardiologu Gani Bajraktari, i ka dalë në mbrojtje kirurgut të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Kushtrim Shala, për të cilin pati reagime pas vdekjes së pacientit disa orë pas operimit. /Telegrafi/