Site icon Telegrafi

Prokuroria e Tiranës reagon për vdekjen e 32-vjeçarit: Në stomakun e viktimës u gjet një qese plastike e dyshuar si lëndë narkotike

Prokuroria e Tiranë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kanë dhënë një deklaratë të përbashkët zyrtare në lidhje me vdekjen e 32-vjeçarit, Laer Kurti, i cili humbi jetën pas shoqërimit në komisariat.

Sipas dekraratës, mbrëmjen e 19 tetorit, punonjësit e policisë gjatë patrullimit në zonën e Laprakës kanë konstatuar Laert Kurtin duke qëndruar përpara një biznesi privat, për të cilin kushtet dhe rrethanat diktonin nevojën e një verifikimi.

Në momentin kur punonjësit e policisë i kanë kërkuar dokumentin e identifikimit, Kurti është larguar me vrap, duke mos iu bindur thirrjeve të njëpasnjëshme të punonjësve të policisë për të ndaluar.

Pasi ka vrapuar për rreth 200 metra, i ndjekur nga patrulla e policisë, mes rrugicave midis rrugës “Riza Çuka” dhe “Don Bosko”, ai është kapur dhe ndaluar nga punonjësit e policisë, vend në të cilin kanë qëndruar shtatë minuta.

Në vijim, pasi është qetësuar, i riu është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Numër 3 ku ka shfaqur probleme shëndetësore, gjë e cila ka diktuar dërgimin në Spitalin e Traumës, ku është konstatuar humbja e jetës.

Nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezultoi se në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5×5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, e cila i është nënshtruar ekzaminimit në Institutin e Policisë Shkencore. /Telegrafi/

 

Exit mobile version