Site icon Telegrafi

Projektligji për Paga del në konsultim publik, këto janë koeficientët e propozuar

Projektligji për Paga për Sektorin Publik duke filluar nga sot ka dalë në konsultim publik, ku të gjitha palët do ta kenë mundësinë që të japin mendimet e tyre për 15 ditë pune.

Duke e publikuar të plotë dokumentin, Zyra e Kryeministrit ka nxjerr edhe koeficientët e propozuar për të gjithë punëtorët shtetërorë, ku sipas tyre është propozuar që të jetë paga, shkruan Telegrafi.

Koeficientin më të lartë, pra 18 e ka Presidenti i vendit, pasuar nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese me 17.5 dhe më pastaj vinë kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës me 17.

Kryetari i kryeqytetit është propozuar që ta ketë koeficientin e rrogës 15 dhe nën të pasojnë kryetarët e komunave të tjera.

Në gjyqësor, prinë kryetari i Gjykatës Supreme më koeficient 17. Po aq është paraparë të jetë edhe për Kryeprokurorin e Shtetit.

Komandanti i FSK-së ka koeficient 15, kurse me 0.5 më pak vjen drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

Në fund, mësimdhënësit në shkollat e mesme të lartë është propozuar të vlerësohen me koeficient prej 5.8.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se Projektligji për Paga ai për Zyrtarët Publikë nga e enjtja do të janë në konsultim publik.

Sveçla në një konferencë për medie ka theksuar se për 15 ditë do të jetë i hapur periudha për komente dhe sugjerime për këto projektligje.

“Janë zhvilluar me dhjetëra takime për të dëgjuar secilin propozim dhe nga secila këto projektligje, ku nga sot i keni konkluzionet tona, ku do t’i presim komentet shtesë deri në finalizimin të tyre dhe procedim të tyre deri në instanca të tjera”, ka theksuar Sveçla.

“Për 15 ditë pune, nga nesër në mëngjes, të dy projektligjet do të janë në konsultim publik, brenda të cilës kohë, të gjithë do të kenë mundësi që ta adresojnë çdo koment apo sugjerim me këto projektligje, apo pjesë të caktuara”, ka përfunduar ai.

Ligji i cili ishte shpallur i i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, pritej të rregullonte pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit.

Vlera e pagës bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit prej 239 euro për vitin e parë. Raporti i koeficienteve është një me dhjetë të shpërndarë në 69 nivele të koeficienteve. Koeficienti më i lartë është 10, pozitë kjo që e mban vetëm Presidenti i Kosovës, më pas është niveli i 9, ku bëjnë pjesë kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Pra, Ligji rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind e tyre mbetën jashtë. Por, punëtorë në sektorë të ndryshëm publikë, kishin shprehur pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligj. /Telegrafi/

Exit mobile version