Site icon Telegrafi

Projekti për ngritjen e kompetencave profesionale synon rritjen e cilësisë në arsimin e Prizrenit

Komuna e Prizrenit në partneritet me Qendrën për Avancimin e Performancës së Arsimit ka iniciuar projektin që synon avancimin e cilësisë së arsimit në nivel lokal.

Projekti i titulluar “Ngritja e kompetencave profesionale përmes zhvillimit profesional në fushën e menaxhimit, vlerësimeve, mendimit kritik dhe gjithë përfshirjes”, sipas njoftimit të Komunës ka disa objektiva, përfshirë skanimin e gjendjes aktuale në arsimin e Prizrenit, ngritjen e performancës së personelit menaxhues dhe arsimor përmes trajnimeve e zhvillimit profesional si dhe hartimin e një Strategjie 5-vjeçare për Arsimin Parauniversitar.

Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi ka theksuar se avancimi i cilësisë në arsim është nevojë e kohës, pas investimeve të bëra në infrastrukturë në 25 vitet e shkuara, raporton Telegrafi.

“Pas investimeve të bëra në shumë fusha, edhe në arsim, është koha që Prizreni ta ngritë nivelin e cilësisë. Kjo bëhet më së miri duke filluar nga drejtuesit e shkollave, pastaj te stafi arsimor, e deri te nxënësit”, ka thënë Gashi.

Ndërsa drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj Gutaj ka pohuar se projekti ka disa komponentë.

“Në kuadër të projektit parashihet që të skenojmë gjendjen e secilës shkollë dhe të shohim mangësitë ku i kemi ashtu që të realizohen intervenime për përmirësimin e gjendjes, duke hartuar plane zhvillimore në përputhje me specifikat e secilës shkollë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, komponentë tjetër është edhe zhvillimi profesional i mësimdhënësve bazuar në kompetenca, sikurse edhe fuqizimi i kapaciteteve të drejtuesve të shkollave.

Në këtë kuadër ka shtuar se parashihet edhe hartimi i një dokumenti strategjik, raporton Telegrafi.

Njohësi i çështjeve të arsimit në Kosovë, Halim Hyseni ka vënë në pah rëndësinë e cilësisë në arsim.

“Shoqëria nuk mund të ec përpara pa një edukim dhe arsim cilësor”, është shprehur ai.

Drejtori i Qendrës për Avancimin e Performancës së Arsimit, Nehat Mustafa, ka vlerësuar se jetësimi i këtij projekti është i rëndësishëm për arsimin në Komunën e Prizrenit, meqë parashihen intervenime në disa aspekte.

Projekti në fjalë sipas zyrtarëve komunale do të zbatohet në gjashtë muajt e ardhshëm. /Telegrafi/

Exit mobile version