Produktet e gastronomisë së Prizrenit janë prezantuar në Festivalin Global Shqiptar të Gastronomisë në Berlin të Gjermanisë me synimin që të rritet bashkëpunimi në arenën ndërkombëtare.
Komuna e Prizrenit ka njoftuar se në këtë festival kanë marrë pjesë nënkryetari Kujtim Gashi, së bashku me ekipin nga Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik dhe zyrtarë tjerë komunalë sikurse edhe përfaqësues të gastronomisë nga Prizreni, raporton Telegrafi.
“Në panelin e organizuar me këtë rast, nënkryetari Gashi prezantoi produktet e gastronomisë së Prizrenit në këtë festival unik i cili u jep mundësi bizneseve shqiptare që t’i promovojnë recetat dhe produktet kombëtare si pjesë e trashëgimisë kulturore dhe të gjenerojnë drejtime të reja biznesi”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.
Tutje sqarohet se në këtë aktivitet, gastronomët dhe prodhuesit nga Prizreni kanë krijuar ura të reja bashkëpunimi me biznese ndërkombëtare, duke shfrytëzuar potencialin e diasporës shqiptare dhe fuqinë e produkteve vendore.
“Ky aktivitet do të krijojë mundësi të reja eksporti për produktet shqiptare dhe do të ndihmojë në rritjen e ndikimit të gastronomisë shqiptare në tregun global”, thuhet në njoftim.
Sipas organizatorëve në këtë festival ka pasur panele e diskutime, sikurse edhe promovime dhe degustime të shijshme të ushqimeve tradicionale. /Telegrafi/