Telegrafi

Prodhimi i armëve në Shqipëri, projektligji hyn me procedurë të përshpejtuar

Me kërkesë të Këshillit të Ministrave dhe me votat e shumicës në Kuvend, ligji për prodhimin e armëve do të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar.

Votimi i projektligjit do të bëhet me 25 korrik, pavarësisht kundërshtimit të opozitës. Kreu i Grupit të PD, Gazmend Bardhi deklaroi se nuk ka asnjë urgjencë që ky ligj të kalojë me procedurë të përshpejtuar, ndërsa Jorida Tabaku tha se ndryshimet po bëhen pas kërkesës së një operatori.

“Çfarë urgjence ka Këshilli i Ministrave në këtë ligjin për tregtimin e armëve, për të ditur edhe ne se zakonisht me procedurë të përshpejtuar në fund të sesionit kalon ndonjë aferë korruptive?” u shpreh Gazmend Bardhi.

Përpara dy muajsh, i gjithë Parlamenti u mblodh dhe ndryshoi ligjin me kërkesë të një ofruesi, që të bënte transportin e këtyre armëve dhe ne, të gjitha komisionet u mblodhën. Pyetja jonë legjitime është: Çfarë është kaq urgjente për ligjin e armëve? Ka një operator tjetër që e ka kërkuar këtë?”, ngriti pyetjen edhe Jorida Tabaku./A2 CNN