Site icon Telegrafi

Problemi i pajisjes me pasaporta dhe letërnjoftime, MPB: Në fund të janarit pritet furnizimi me material për prodhimin e tyre

Qytetarët e Kosovës tash e disa muaj janë duke u përballur me pritje të gjata për t`u pajisur me dokumente personale si patentë-shoferë, letërnjoftime e pasaporta.

Por kjo problematikë pritet që së shpejti të marrë fund. Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se në fund të janarit do të nis furnizimi me material për prodhimin e pasaportave dhe letërnjoftimeve.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nora Fetoshi.

“Ministria e Punëve të Brendshme, ju njofton se në fund të janarit pritet të fillojë furnizimin me material. Me ketë rast, Ministria e Punëve të Brendshme shpreh keqardhje për situatën e krijuar dhe kërkon mirëkuptim nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, deri në zgjidhjen e kësaj çështje”, ka thënë Fetoshi.

Ditë më parë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një letre që i kishte drejtuar shtetit të Gjermanisë ku kishte kërkuar që të lejojë hyrjen e qytetarëve të Kosovës me pasaporta që u ka skaduar afati, kishte theksuar se për shkak të çështjeve të zinxhirit të furnizimit të shkaktuara nga mungesa e materialeve si rezultat pandemisë e më pas edhe luftës në Ukrainë, Kosova si shumë vende të tjera është duke u përballur me mungesë të materialit për dokumente identifikuese.

“Për shkak të kësaj një numër i qytetarëve kosovarë nuk mund të pajisen me pasaporta të reja ose t’i rinovojnë ato me afat të skaduar”, vazhdon letra e cila mban datën 21 dhjetor 2022.

Sveçla ka potencuar në letër se kompania e kontraktuar për furnizim me material për dokumente identifikuese nuk ka qenë në gjendje të sigurojë materialin e nevojshëm.

Ministri kishte thënë se kjo është shkaktuar si pasojë e mungesës së materialit për prodhimin tyre.

Ai ka thënë se Agjencia e Regjistrimit Civil i kanë dhënë prioritet lëshimit të dokumenteve për kategori me urgjencë që do të thotë, rastet e sëmundjeve, rastet e bashkimit familjar, rastet e aktiviteteve sportive e diplomacia, pra këto kategori kanë prioritet.

“Për qytetarët tjerë më vjen keq por duhet ti përshtatemi rrethanave që po jetojmë. Jam duke punuar me kompaninë që të furnizojë veten me lëndën e parë dhe pastaj të prodhojë dokumentacion e nevojshëm që me sjellë në Kosovë”, kishte deklaruar Sveçla. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version