Logopedi nga Gjilani, Iljasa Fazliu që dyshohet se ka abuzuar psiqikisht me një vajzë 3-vjeçare e cila vuan nga autizmi, është duke u trajtuar në spital, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Gjendja e tij është stabile, por është dërguar për trajtim në Spitalin e Gjilanit për shkak të problemeve shëndetësore me hipertension dhe diabet.
Kështu ka bërë të ditur në një prononcim për Telegrafin drejtori i këtij spitali, Arsim Emini.
“Personi në fjalë është pranuar pardje në Spitalin e Gjilanit, jo për shkak të lëndimeve fizike, por për shkak të problemeve me hipertension dhe diabet. Gjendja e tij është stabile. Nuk është raportuar nga mjekët për përkeqësim të gjendjes”, ka thënë Emini.
Ndryshe, logopedit Fazliu të hënën i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, nga Gjykata Themelore e Gjilanit.
Ai dyshohet se ka abuzuar psiqikisht në ordinancën e tij me një 3-vjeçare, e cila vuan nga autizmi.
Masën e paraburgimit gjykata ua ka caktuar edhe dy familjarëve të viktimës, të cilët pas rastit e kishin sulmuar fizikisht logopedin. /Telegrafi/