Prizreni përmbyll buxhetimin me pjesëmarrje, banorët e Malësisë së Re vendosin për terrenin sportiv
Komuna e Prizrenit ka përmbyllur ciklin e takimeve të buxhetimit me pjesëmarrje, me procesin e votimit të komunitetit për projektin prioritar në fshatin Malësi e Re.
Banorët e këtij fshati me shumicë votash janë përcaktuar për ndërtimin e një terreni sportiv.
“Në kuadër të takimeve për “Buxhetim me Pjesëmarrje”, banorët e fshatit Malësi e Re votuan për projektin "Terren sportiv në oborrin e shkollës ose në Bokë". Ky projekt, që u propozua dhe u votua nga vet banorët, do të financohet nga Komuna e Prizrenit”, thuhet në njoftim.
Buxhetimi me pjesëmarrje sivjet është realizuar në shtatë lokalitete të Komunës së Prizrenit.
Shtatë projektet e përzgjedhura do të financohen nga Komuna e Prizrenit me nga 100 mijë euro me buxhetin e vitit 2026.
Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi ka bërë të ditur se ky është viti i tretë që organet komunale e zbatojnë këtë praktikë në kuadër të nismës “Paratë tona, idetë tona, Prizreni ynë”.
Sipas tij, qëllimi i kësaj nisme është përfshirja e qytetarëve të Komunës së Prizrenit në vendimmarrje.
Nisma në fjalë ka lindur si rezultat i bashkëpunimit të mëhershëm me USAID-in.
Ndërkaq në muajin gusht do të vijojnë edhe dëgjimet me publikun për buxhetin e vitit 2026. /Telegrafi/


