Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian kërkon të nisen hetimet për veprimet e Komisionerit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.
Këtë informacion e ka shpërndarë në Twitter deputeti holandez i Parlamentit Evropian, Thijs Reuten.
Hetimi, tha Reuten, do të fillojë për shkak të pretendimeve se Varhelji po minon qëllimisht reformat në fushën e demokracisë dhe shtetit të së drejtës tek vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
❗️BREAK❗️The Eur. Parliament Committee on Foreign Affairs wants an investigation into the conduct of enlargement Commissioner Mr. Várhelyi, over reports he deliberately undermines centrality of democracy and rule-of-law reforms in 🇪🇺 accession countries. Check our amendment👇🏼 pic.twitter.com/KQFzXrYVQv
— Thijs Reuten 🇪🇺🌹 (@thijsreuten) December 2, 2022
“Komisioni i Parlamentit për Punët e Jashtme kërkon të bëhen hetime mbi sjelljen e Komisionerit të Zgjerimit, Varhelyi, lidhur me raportet se ai minon qëllimisht konsolidimin e demokracisë dhe reformat e sundimit të ligjit tek vendet që kërkojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”, ka shkruar eurodeputeti holandez në Twitter.
Më poshtë eurodeputeti ka shpërndarë kërkesën e komisionit ku shkruan “Mbetet thellësisht i shqetësuar për raportet se Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim synon qëllimisht të anashkalojë dhe minojë reformat demokratike dhe të sundimit të ligjit në vendet që synojnë anëtarësimin në BE; i kërkon Komisionit të nxisë një hetim të pavarur dhe të paanshëm nëse sjelljet e shfaqura dhe politikat e ndjekura nga Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin përbëjnë shkelje të Kodit të Sjelljes për Anëtarët e Komisionit Evropian dhe të detyrimeve të Komisionerit sipas Traktateve”.
Ndryshe, komisioneri nga Hungaria, gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në Serbi, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. /Telegrafi/