Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër 19 të pandehurve.
Aktakuza është ngritur në drejtim të veprave penale Fajde nga neni 331 par. 3 lidhur me nenin 77 të KPRK-së, Detyrim nga neni 328 par. 2 të KPRK, Kanosje nga neni 181 par. 1 të KPK-së dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 366 par.2 i KPRK-së, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Prokuroria nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me aktakuzën e ngritur ndaj 19 të dyshuarve.
Ndryshe, një javë më parë Policia e Kosovës së bashku me Prokurorinë Themelore në Prizren kanë realizuar operacionin policor të koduar “Milioni” ku janë arrestuar gjashtë të dyshuar për fajde e detyrim në Prizren dhe Suharekë.
“Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në vazhdën e luftës kundër veprimtarive kriminale, në koordinim me Prokurorinë Themelore (PTh)-Prizren, me datën 31.10.2024 ka realizuar një operacion të gjerë policor në Prizren dhe në Suharekë. Operacioni policor është shtrirë në 6 lokacione të ndryshme, ku janë arrestuar 6 persona të dyshuar, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale të ‘fajdesë’ dhe ‘detyrimit”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se gjatë zbatimit të operacionit policor, është realizuar urdhër-kontrolli i gjykatës, ku në vendbanimet e personave të dyshuar janë sekuestruar: 20 njësi banesore dhe lokale afariste, 5 automjete, 5 armë dhe municion të kalibrit të ndryshëm, dokumentacione, si: kontrata, para-kontrata, para të gatshme, prova digjitale, si dhe janë bllokuar llogaritë bankare të personave të dyshuar. /Telegrafi/