Site icon Telegrafi

Prishtina shijon më në fund fitoren e parë në pranverë, mposht Feronikelin

Prishtina ka fituar me rezultat të thellë 3-0 në udhëtim te Feronikeli në ndeshjen e vlefshme për javën e 24-të në BKT Superligën e Kosovës.

Kryeqytetasit kanë arritur më në fund fitoren e parë në sezonin pranveror, duke e mposhtur Niklin, pas tri humbjeve dhe dy barazimeve.

Pjesa e parë e ndeshjes nisi thuajse barabartë, me të dyja skuadrat, të cilat patën nga pak raste shënimi, por Prishtina ishte me konkrete.

Vendasit rrezikuan me anë të Endrit Kastratit me kokë, ndërsa Prishtina me anë të Qëndrim Zybës, por asnjëra skuadër fillimisht nuk arriti ta tund rrjetën.

Kampioni aktual golin e parë e gjeti në minutën e 33-të me anë të Otto John, i cili shënoi për 0-1, ndërsa Besnik Krasniqi (41’) me një gol të bukur shënoi për 0-2.

Në pjesën e dytë, Prishtina ishte përsëri skuadër më e mirë, duke shënuar edhe një gol dhe duke arritur ta siguroj fitoren.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 76-të me anë të Sadam Sulley, i cili shënoi me kokë për 0-3 dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar.

Pas kësaj fitore, Prishtina e sheh veten në pozitën e gjashtë me 29 pikë, ndërsa Nikli i fundit me vetëm 11 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, kryeqytetasit e presin Ulpianën, ndërsa drenicasit udhëtojnë te Ballkani. /Telegrafi/

Exit mobile version