Sigal Prishtina ka vazhduar me paraqitje pozitive, ku kësaj radhe ka mundur Bashkimin me rezultat 86:68 (16:11, 22:23, 28:21, 20:13), në xhiron e 19-të të Prince Caffe Superligës së Kosovës në basketboll.
Çereku i parë ishte kryesisht i barabartë deri në fund, pranë rezultatit 11:11, kur prishtinasit me pesë pikë radhazi fitojnë këtë pjesë 16:11.
Në periudhën e dytë vendasit kishin epërsi deri në dhjetë pikë, 25:15, e më pas edhe nëntë sosh deri në fund, kur prizrenasit me një prej pesë pikësh radhazi, bënë që rezultati pas pjesës së parë të ishte 38:34.
Kryeqytetasit ishin më të mirë në periodën e tretë ku sërish u shkëputën në 12 pikë, ndërsa rezultati pas 30 minutash ishte 66:55.
Në dhjetë minutat e fundit, vendasit ruajtën epërsinë, madje edhe e shtuan, duke mos e rrezikuar fitoren dhe triumfuan 86:68.
Më i miri te prishtinasit ishte Dardan Berisha me 29 pikë, gjashtë kërcime e shtatë asistime, ndërsa te prizrenasit më i miri ishte Curtis Jones me 24 pikë e gjashtë kërcime.
Sigal Prishtina ka 14 fitore e pesë humbje, kurse Bashkimi ka tetë fitore e 11 humbje.