Trajneri i sapoemëruar Lutz Lindemann, ka folur para ndeshjes me Feronikelin duke kërkuar vetëm fitore në këtë takim.
Lindemann ka marr drejtimin pas largimit të Kushtrim Munishit, ndërsa ka respektuar kampionin aktual, Feronikelin.
“Ne kemi respektin e plot ndaj Feronikelit, sepse janë skuadër e mirë, por edhe ne jemi kundërshtar i fortë. Ne jemi ndeshur me ta për Superkupë, por edhe i kam parë në ndeshjen me Drenicën dhe janë skuadër e mirë, por edhe ne jemi të fortë dhe atje shkojmë për fitore”.
“Kurse, pa marrë parasysh taktikën e tyre, taktiken e bëj sipas neve, dhe jo sipas tyre. Kush koncentrohet maksimalisht e fiton ndeshjen, apo kush e bënë gabimin e parë do ta humb ndeshjen”, ka thënë drejtori sportiv dhe shefi i shtabit teknik, Lutz Lindemann.
Armend Dallku: Presioni është në anën e kundërshtarit
Në anën tjetër kapiteni i Prishtinës, Armend Dallku nuk ka përtuar të tregojë forcën e skuadrës së tij edhe përmes fjalëve.
“Deri tani loja më e rëndësishme dhe që do të thotë shumë për të dy ekipet. Por, mendoj që megjithatë presioni është në anën e kundërshtarit, sepse ne si Prishtinë shkojmë si lider i klasifikimit dhe presioni nuk është fare në anën tonë”.
“Ne gjithmonë kemi thënë, si në çdo ndeshje, brenda apo jashtë Prishtinës, ne shkojmë të japim maksimumin dhe këtë e besoj edhe tani që me angazhimin maksimal të gjithë bashkëlojtarëve të mi do të hyjmë në ndeshje vetëm për tre pikë dhe besoj se në fund do të triumfoj, si gjithmonë, Prishtina”, ka thënë kapiteni, Armend Dallku.
Ndeshja mes Feronikelit dhe Prishtinës zhvillohet nesër në Drenas nga ora 15:00.