Prishtina ka shënuar fitore të thellë me rezultat 3-0 ndaj Dukagjinit në kuadër të javës së gjashtë në elitën e futbollit kosovar.
Kryeqytetasit rrezikuan të parët me anë të Albin Krasniqit i cili provoi nga distanca, por portieri Rexhepi intervenoi për t’ia mohuar golin.
Prishtina ia doli që të kalojë në epërsi kur në minutën e 20-të mbrojtësi kundërshtar Ilir Syla shënoi në portën e tij për 1-0.
Mysafirët patën një mundësi të artë shënimi me anë të Arbër Shalës (33’) por Nika bëri një pritje fantastike për t’ia mohuar golin e barazimit.
Në pjesën e dytë Prishtina ia doli që të shënojë edhe në dy raste të tjera përmes Albin Krasniqit dhe Rigon Llugiqit për t’u rikthyer kështu tek fitoret pas humbjes në derbi ndaj Ballkanit.
Krasniqi shënoi fillimisht në minutën e 48-të për rezultatin 2-0, ndërsa golin përfundimtar të takimit e realizoi i inkuadruari në pjesën e dytë Rigon Llugiqi në minutën e 69-të pas asistimit të Drilon Islamit.
Me këtë fitore Prishtina shkon në kuotën e dhjetë pikëve dhe momentalisht mban pozitën e dytë në tabelë, ndërsa Dukagjini me humbjen e dytë radhazi pas asaj ndaj Malishevës renditet në pozitën e shtatë me gjashtë pikë.
Javën e ardhshme Prishtina do të luajë në udhëtim tek Gjilani ndërsa Dukagjini do të jetë mysafir i Dritës./Telegrafi/