Grupi mercenar rus Wagner, në vitin 2022 kishte nënshkruar një marrëveshje me një kompani kineze për sigurimin e dy satelitëve dhe përdorimin e pamjeve të tyre, që në aspektin e inteligjencës u ka ndihmuar këtij grupi mercenar gjatë pushtimit rus në Ukrainë.
Moscow Times raporton se AFP ka patur rastin ta shoh dokumentin që e dëshmon këtë, transmeton Telegrafi.
Raportohet se marrëveshja është nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar, mbi gjashtë muaj nga pas fillimit të pushtimit të Ukrainës, ku Wanger nën udhëheqjen e Yevgeny Prigozhin ka luajtur rol të rëndësishëm në fushëbetejë.
“Imazhet satelitore janë përdorur për ta ndihmuar Wagner në operacionet në Afrikë dhe madje në rebelimin e dështuar në qershor (të këtij viti), që de fakto solli deri te shpërbërja e grupit mercenar rus pas vdekjes së Prigozhinit, që humbi jetën nga rrëzimi i aeroplanit”, ka bërë të ditur për AFP një burim nga inteligjenca evropiane.
Sipas marrëveshjes së shkruar në gjuhën angleze dhe ruse që pati rastin ta shoh kjo agjenci e lajmeve dhe që u nënshkruar më 15 nëntor të vitit të kaluar, kompania Beijing Yunze Technology i ka shitur dy satelitë monitorimi me rezolucion të lartë kompanisë “Nika-Frut”, që në atë kohë ishte pjesë e “perandorisë së bizneseve” të Prigozhinit.
Thuhet se satelitët i përkisnin kompanisë Chang Guang Satellite Technology, gjigantit kinez nga fusha e industrisë hapësinore.
Sipas informacioneve të AFP, për satelitët dhe shërbimet e tjera janë paguar mbi 30 milionë dollarë.
“Marrëveshja nënkuptonte sigurimin e pamjeve që me kërkesë të Wagner u dorëzoheshin atyre dhe u mundësonin të shihnin imazhe satelitore nga Ukraina dhe nga Afrika, ku pjesëtarët e grupit mercenar rus ishin aktiv, përfshirë Libinë, Sudanin dhe Mali”, tha për AFP burimi nga inteligjenca evropiane që kërkoi që emri të mos i zbulohet. /Telegrafi/