Presidentja e parë femër e Sllovakisë, Zuzana Çaputova, gjatë një konference në Bruksel është gjendur para një pyetje jo të zakonshme.
Kjo pasi që, siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ajo u pyet për ndërrimin e rrobave nga ana e saj të martën.
Ndryshe, Çaputova zgjodhi Brukselin si vizitë të dytë zyrtare që kur u inaugurua në qershor.
Kështu, kah fundi i një konference shtypi me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, një gazetar e pyeti atë nëse ajo ishte “e stresuar”, sepse ajo kishte ndërruar rrobat e saj “tri herë” atë ditë.
“Kjo është vetëm veshja e dytë që kam veshur sot”, u përgjigj udhëheqësja sllovake.
“Unë kam pasur një ditë shumë interesante, një ditë shumë intensive. Kam pasur takime interesante me udhëheqësit e liderëve të ndryshëm të institucioneve evropiane që nuk kam takuar më parë. Ndihem shumë e lumtur dhe shumë me fat”.
Megjithëse pyetja nuk ishte drejtuar për të, Juncker bëri një ndërlidhje, pas përgjigjes së Çaputova.
“Vetëm për tu ndërlidhur, kjo është këmisha e tretë që kam veshur sot”, tha ai, me disa të qeshura të dëgjuar aty. /Telegrafi/