Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy ka mbajtur një konferencë për shtyp dhe tha se vendi i tij do të triumfojë mbi forcat ruse.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, ai tha se forcat qeveritare ende kontrollojnë Kievin dhe “pikat kyçe rreth qytetit”. Zelenskyy deklaroi se forcat ukrainase do të fitonin dhe kritikoi dezinformimin.
Në pjesën e fundit të fjalimit të tij, ai tha: “Ju lutemi ndaloni ata që gënjejnë, ose përpiqen t’ju gënjejnë juve, ose neve. Ne duhet ta ndalojmë këtë luftë. Ne mund të jetojmë në paqe së bashku, globalisht si njerëz.
“Ushtria jonë, garda jonë kombëtare, policia jonë kombëtare, mbrojtja e territorit tonë, shërbimi special, shtetas të Ukrainës, ju lutem vazhdoni. Ne do të fitojmë. Lavdi Ukrainës”.
Zelenskyy tha: “Ne po frenojmë me sukses sulmet e armiqve. Ne e dimë se po mbrojmë tokën tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Kievi dhe zonat kryesore kontrollohen nga ushtria jonë.
“Okupatorët donin të vendosin marionetën e tyre në kryeqytetin tonë. Ata nuk patën sukses. Në rrugët tona, pati një luftë të duhur”. /Telegrafi/