Sot, 10 vjet më parë, Komiteti Olimpik i Kosovës u bë anëtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC).
Për të shënuar një dekadë në familjen e madhe olimpike, në Kosovë po qëndron presidenti i IOC, Thomas Bach, ai i EOC-ut, Spyros Capralos, i ICMG-së, Davide Tizzano, si dhe drejtues të shumtë të federatave të sporteve ndërkombëtare.
Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, i shoqëruar nga drejtuesit e Komitetit Olimpik të Evropës, presidenti Spyros Capralos dhe drejtuesit e KOK-ut, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, janë mirëpritur nga kryeministri Albin Kurti, i cili shoqërohej nga zëvendëministrja për Kulturë, Rini e Sport, Daulina Osmani.
Bach dhe Kurti kanë biseduar për progresin që Kosova ka bërë në fushën e sportit, arritjet e sportit tonë në 10 vjet të anëtarësimit në familjen e madhe olimpike, me theks të veçantë pesë medaljet e olimpike.