Site icon Telegrafi

Presidenti Biden propozon një taksë minimale prej 20 për qind për milionerët

Në një Projektligj të ri, presidenti amerikan Joe Biden ka propozuar një taksë minimale prej 20 për qind për familjet me të ardhura mbi 100 milionë dollarë. Propozimi nuk ka gjasa të marrë mbështetjen e duhur për të hyrë në fuqi këtë vit, por ka sjellë në vëmendje debatin se çfarë duhet të bëjë qeveria me të ardhurat marramendëse të amerikanëve më të pasur.

Një nga gratë më të pasura të botës, MacKenzie Scott ka dhuruar mbi 12 miliardë dollarë gjatë dy viteve të fundit, duke kontribuar me fonde për mbi 1,200 organizata të përqendruara te drejtësia raciale, ndryshimi klimatik, arsimi, të drejtat e abortit, ndihma humanitare për luftën në Ukrainë, të drejtat e njeriut, etj.

“I përdorim këto fonde në mënyrat që dëshirojnë komunitetet dhe në mënyra strategjike. Jemi shumë të kënaqur”, thotë Erik Stegman nga organizata Indianët e Amerikës në Filantropi.

Ish-bashkëshortja e themeluesit të kompanisë Amazon, Jeff Bezos dhuron më shumë se ish-bashkëshorti i saj, i cili ka një vlerë neto prej qindra miliarda dollarësh. Shtetet e Bashkuara kanë më shumë miliarderë se çdo vend tjetër i botës dhe shpesh shtrohet pyetja nëse sistemi i taksave duhet të vjelë më shumë nga këto pasuri të mëdha. Presidenti Biden mendon se po.

“Një zjarrfikës apo një mësues paguan mbi dyfishin e nivelin të tatimit që paguan një miliarder. Kjo nuk është e drejtë dhe për këtë arsye Projektligji që kam propozuar parashikon një taksë minimale që duhet të paguajnë miliarderët. Tatimi minimal prej 20 për qind do të aplikohet për vetëm për më të pasurit e një përqindëshit të amerikanëve”, tha ai.

Presidenti Biden thotë se miliarderët paguajnë aktualisht një mesatare prej 8 për qind taksa për të ardhurat e tyre.

“Konstatojmë se shpesh më të pasurit në vend mund të paguajnë pak ose aspak tatime për të ardhurat. Kjo ndodh për shkak se burimi kryesor i të ardhurave të tyre çdo vit nuk është nga paga, por nga rritja e aseteve të tyre”, thotë Chuck Marr nga Qendra për Prioritetet Buxhetore dhe të Politikave.

Ekspertë të tjerë thonë se të pasurit paguajnë mjaftueshëm kur mblidhen të gjitha format e tatimit, madje deri në 32 për qind të të ardhurave të tyre. Ata thonë gjithashtu se kontribuojnë në mënyra të tjera për ekonominë.

“Pjesa më e madhe e pasurive të milionerëve dhe miliarderëve është në pronësinë e bizneseve. Pjesa më e madhe e pasurisë së Jeff Bezos është pronësia e Korporatës Amazon, e cila punëson miliona njerëz çdo vit. Pra nuk dua që Jeff Bezos të paguajë më shumë taksa dhe të ulë kështu vlerën e kompanisë Amazon”, thotë ekonomisti Chris Edwards nga Instituti CATO.

Biden thotë se nga taksa që ai synon t’u vendosë miliarderëve do të hyjnë 360 miliardë dollarë në buxhetin federal. Projektligji nuk pritet të miratohet nga Senati këtë vit, por mbështetësit thonë se po krijohet momenti i duhur për të vendosur këtë taksa për më të pasurit. Shumica e amerikanëve mendojnë se njerëzit më të pasur në vend nuk paguajnë taksa sa ç’duhet. /VoA/

Exit mobile version