Site icon Telegrafi

Presidentët Thaçi e Meta, zbulojnë shtatoren e heroit kombëtar Idriz Seferi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ai i Shqipërisë, Ilir Meta si dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri kanë zbuluar shtatoren e heroit kombëtar Idriz Seferi.

Zbulimi i shtatores u bë me një ceremoni të lartë shtetërore.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ndjehet i nderuar që sot gjendet në qytetin e Kadri Zekës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës e shumë heronjve të tjerë.

Thaçi tha se shtatorja e Idriz Seferit po inaugurohet në vigjilje të 105 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe në 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

“Idriz Seferi u shqua për trimëri, besnikëri të cilët nuk u zmbrapsën asnjëherë nga ideja për pavarësi të plotë. Idriz Seferi dha një kontribut të madh në kryengritjet që çuan në pavarësinë e Shqipërisë. Idriz Seferi u shqua edhe në kuvende, ku pajtoi  shumë njerëz mbi atë që interesi i atdheut është më i madh sesa individual”, tha presidenti Thaçi.

Ai tha se në Gjilan tha se edhe formalisht ndan urdhrin ‘Hero i Kosovës’ për Idriz Seferin.

Edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se është i nderuar që është këtu për të nderuar Idriz Seferin.

“Ne jemi dy shtete, por jemi një komb i bashkuar. Gjilani u shqua në të gjitha luftërat kur bëhej fjalë për lirinë e shqiptarëve”, tha Meta.

Ai tha se sot i ka mbledhur Idriz Seferi, i cili së bashku me Isa Boletinin e shumë të tjerë u shndërruan në legjenda të popullit.

“Jemi në 105 vjetorit të ngritjes së flamurit të gjithë shqiptarëve, jemi të vendosur që historinë ta nderojmë dhe ta mbajmë gjallë, veçanërisht ata që e bënë gjithçka”, tha presidenti Meta.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se sot iu bëhet nder dhe iu përkulen kryengritësve të Anamoravës, Gollakut.

Në emër të familjes së Idriz Seferit, ka folur Sefer Isufi, i cili ka shprehur mirënjohje për rikthimin  e heroit në Gjilan.

Exit mobile version