Presidentja, Vjosa Osmani, ditë më parë ka pranuar propozimin e Këshillit Prokurorial për emërimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror të Shtetit.
Zyra e Presidencës, të mërkurën ka bërë të ditur se Osmani ka filluar të shqyrtojë dhe analizojë në detaje dokumentacionin e pranuar dhe se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, pa u konsultuar me organizatat që e kanë mbikëqyrur procesin e përzgjedhjes së tij.
“Zyra e Presidentes ka filluar të shqyrtojë dhe analizojë në detaje të gjithë dokumentacionin e pranuar, të gjitha faktet dhe rrethanat që ndërlidhen me këtë proces. Presidentja në ditët ne vijim do të takohet me përfaqësuesit e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes se Kryeprokurorit për të dëgjuar vërejtjet e tyre mbi mbarëvajtjen e këtij procesi”, thuhet në përgjigjen e presidencës.
Tutje theksohet se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit duhet të jetë kredibil dhe me integritet të plotë për të siguruar që besimi i qytetarëve ndaj Prokurorisë se Shtetit nuk dëmtohet.
Presidentja ka theksuar se kandidati i propozuar duhet të plotësoj gjitha kërkesat ligjore, duke përfshirë edhe atë të integritetit.
Ndryshe, më 6 prill, Blerim Isufaj është votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit.
Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë e kanë kundërshtuar procesin për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit.
Po ashtu, kishte pasur reagime edhe nga ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë./Telegrafi/