Site icon Telegrafi

Presidenca e Shqipërisë reagon për rezolutën e armëve bërthamore: Deklarata e Bushatit e pavërtetë

Nisur nga deklarata e bërë sot në Komisionin për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, nga ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, për votimin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të rezolutës për armët bërthamore, Zyra e Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani sqaron se, deklarata e ministrit Bushati se “Presidenti i Republikës, ka marrë sqarim po në rrugë institucionale”, është krejtësisht e pavërtetë!

“Institucioni i Presidentit të Republikës sqaron gjithashtu opinionin publik se, nisur nga detyrimet dhe ndjeshmëria e marrëdhënieve të Republikës së Shqipërisë me Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe vendet e saj Anëtare, më 11 janar 2017, me shkresën nr. 52, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani, ka kërkuar informacion nga ministri i Punëve të Jashtme, zoti Ditmir Bushati, mbi qëndrimin e mbajtur nga Shqipëria në votimin e datës 23 dhjetor 2016 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për rezolutën e hapjes së negociatave për traktatin e ndalimit të armëve bërthamore. Informacioni është kërkuar edhe mbi arsyet dhe argumentet e marra në konsideratë për formulimin e qëndrimit, si dhe konsultimet e zhvilluara me vendet partnere për këtë rezolutë.

Deri më sot nuk ka patur asnjë informacion apo shpjegim me shkrim apo verbal të ardhur nga ministri i Punëve të Jashtme për Presidentin e Republikës.

Institucioni i Presidentit të Republikës kërkon nga ministri i Punëve të Jashtme të mos dezinformojë strukturat e Kuvendit të Shqipërisë dhe opinionin publik me të pavërteta, veçanërisht për çështje kaq thelbësore për marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet aleate strategjike dhe partnere në NATO, ndaj ftojmë ministrin e Jashtëm të bëjë publike shkresën, të cilën ai pretendon se ka informuar në rrugë institucionale Presidentin e Republikës!”, thuhet në reagimin e Zyrës së presidentit Nishani.

Exit mobile version