Telegrafi

Premtimi i rremë për ndryshimin e regjimit në Iran

Ilustrimi: James Ferguson / FT

Burimi: The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

A mund të afrohet fundi i Republikës Islamike të Iranit? I papëlqyer në vend, nën sulmet e Izraelit dhe i udhëhequr nga një udhëheqës suprem 85-vjeçar, regjimi iranian duket potencialisht i cenueshëm.

Demonstratat antiqeveritare që nisën në vitin 2022 u shtypën egërsisht, me qindra të ekzekutuar në rrugë dhe mijëra të burgosur. Benjamin Netanyahu, kryeministri i Izraelit, po përpiqet të kontaktojë opozitën iraniane. Edhe pse kërcënon se do të ndërmarrë veprime ushtarake kundër vendit, ai ka parashikuar se liria do të vijë në Iran, “më shpejt nga sa mendojnë shumica e njerëzve”.

Netanyahu argumenton se ndryshimi i regjimit në Iran do të ishte në dobi të të gjithë botës. Regjimi iranian është padyshim një forcë keqdashëse në çështjet globale. Ai ka mbështetur grupe të dhunshme milicie, si Hamasi, Hizbollahu dhe Lëvizja Huti. Regjimi gjithashtu ka ofruar mbështetje thelbësore ushtarake për Bashar al-Assadin, diktatorin e Sirisë, dhe ka furnizuar Rusinë me raketa për luftën e saj në Ukrainë.

Duke pasur parasysh ndikimin e Netanyahut në ShBA, argumentet e tij në mënyrë të pashmangshme po merren parasysh nga e djathta republikane. Por, jo vetëm atje. “Le Monde” citoi një diplomat francez të ketë thënë: “Ndoshta izraelitët po na çojnë drejt një momenti historik … te fillimi i fundit për regjimin iranian”.

Në përgjithësi, rënia e Republikës Islamike tingëllon si një zhvillim i mirëpritur për Perëndimin demokratik, i cili është gjithnjë e më i shqetësuar nga bashkëpunimi i një “boshti kundërshtarësh” të përbërë nga Irani, Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut. Kthimi i lirisë politike në Iran do të nënkuptonte gjithashtu riintegrimin e vendit në ekonominë botërore.

Megjithatë, në aspektin realist, ka çdo arsye për të qenë shumë të kujdesshëm ndaj atyre që bëjnë thirrje për “ndryshim të regjimit” në Iran.

Së pari, mbetet pyetja se si do të ndodhte kjo. Protestuesit iranianë janë ngritur kundër regjimit disa herë në të kaluarën dhe janë vrarë e burgosur në numra të mëdhenj.

Bombardimi i Iranit dhe infrastrukturës së tij kritike, me shpresën e paqartë se kjo do të shkaktojë rënien e regjimit, është gjithashtu një strategji thellësisht jo bindëse. Në vend që të ndihmojë opozitën e brendshme, sulmet izraelite ose amerikane mund të ndihmojnë regjimin duke shkaktuar një efekt bashkimi, ku patriotët do të varrosin dallimet e tyre për t’u bashkuar kundër një agresori të huaj.

Ndërhyrja amerikane mund të jetë veçanërisht kundërproduktive, duke pasur parasysh se çdo iranian i arsimuar kujton rolin e ShBA-së dhe të Britanisë së Madhe në mbështetjen e puçit në Iran në vitin 1953.

Edhe nëse regjimi iranian do të binte disi, nuk ka asnjë garanci se diçka më e mirë do ta zëvendësonte atë. Shumë regjime diktatoriale kanë rënë nga pushteti në Lindjen e Mesme në dekadat e fundit. Shpeshherë, regjimet pasardhëse kanë qenë edhe më shtypëse se ato që janë përmbysur, siç ndodhi kur revolucioni iranian dëboi Shahun e Iranit në vitin 1979.

Një libër i kohëve të fundit, që analizon dështimet e ndërhyrjes së ShBA-së në Lindjen e Mesme, titullohet Premtimi i rremë i ndryshimit të regjimit në Lindjen e Mesme [Long Game: The False Promise of Regime Change in the Middle East]. Autori i tij, Philip Gordon, këshilltar për sigurinë kombëtare i Kamala Harrisit dhe i përfshirë thellësisht në diskutimet e Shtëpisë së Bardhë mbi trajtimin e krizës aktuale, mund të jetë një këshilltar i vlefshëm për këdo që është aq naiv sa të mendojë se tani është koha për të përmbysur ajatollahët.

Gordoni tregon se ShBA-ja bie vazhdimisht në të njëjtin kurth, dekadë pas dekade, duke mbështetur idenë e ndryshimit të regjimit në Irak, Iran, Afganistan, Egjipt dhe Libi. Në çdo rast, ShBA-ja mbështeti supozimet optimiste të liderëve të mërguar (dhe të Netanyahut mbi Irakun në vitin 2002), por “dështoi të parashikonte kaosin që do të pasonte në mënyrë të pashmangshme pas kolapsit”.

Siç vëren Gordoni, “sa herë që një regjim ekzistues shkatërrohet … shfaqet një vakum politik dhe sigurie, dhe fillon lufta për pushtet”. Fituesit e luftës për pushtet janë zakonisht grupet më të pamëshirshme dhe të armatosura më mirë, jo liberalët dhe tolerantët.

Kushtet e pasigurisë gjithashtu i shtyjnë njerëzit të kthehen në grupe apo sekte, duke e bërë më të mundshme shpërthimin e një lufte civile. Irani, ashtu si Iraku, është një vend me grupe të ndryshme etnike dhe fetare. Vakumi i pushtetit, pas përmbysjes së një regjimi autokratik, shpesh përfshin vendet dhe grupet fqinje, duke përhapur dhunën në të gjithë rajonin. Të gjitha këto paralajmërime janë po aq të vlefshme për shpresat për një rend të ri politik në Liban, pas shkatërrimit të udhëheqjes së Hizbollahut.

Maturia në qëndrimin ndaj ndryshimit të regjimit, si një objektiv i politikës perëndimore, mund të çojë në një përfundim të papranueshëm dhe të zymtë – se iranianët duhet të jetojnë përgjithmonë nën një teokraci shtypëse.

Kjo është një qasje shumë pesimiste. Pyetja nuk është nëse ndryshimi duhet të vijë në Iran, por si.

Shpresa më e mirë për iranianët dhe Lindjen e Mesme është që Republika Islamike përfundimisht t’i dorëzohet historisë, jo nga një pushtim apo një revolucion, por nga negociatat paqësore. Në dekadat e fundit, tranzicionet demokratike që kanë funksionuar më mirë kanë ndodhur në vendet si Polonia, Afrika e Jugut dhe Kili, kur qeveritë autokratike – të nxitura nga ndryshimi i brezave ose ndryshimet në politikën botërore – janë ulur me kundërshtarët e tyre dhe kanë negociuar.

Irani ka pasur gjithmonë politikanë reformistë që veprojnë brenda sistemit teokratik. Por, lufta me Izraelin është e garantuar për të fuqizuar ata të vijës së ashpër. Ndryshimi duhet të vijë në Iran. Sulmet bombarduese nuk janë mënyra për ta sjellë atë. /Telegrafi/