Të mërkurën, më 11 tetor, në Teatrin Kombëtar Eksperimental të Tiranës, jepet premiera e shfaqjes “Jashtë derës”, me tekst të Wolfgang Borchertit dhe regji të Stefan Çapalikut. Shfaqja do të jepet të enjten, më 12 tetor, në Teatrin e Korçës, ndërsa më 14 dhe 15 tetor në Teatrin e Shkodrës.
Drama e kthimit në atdhe. “Jashtë derës“,është një nga pjesët teatrale më të rëndësishme të periudhës gjermane të pasluftës, e cila i dha famë shkrimtarit deri atëherë të panjohur.
Protagonisti Beckmann, pas mbarimit të luftës, humbet nëpër rrënojat e Hamburgut dhe i klith botës protestën e tij kundër luftës dhe çdo forme tiranie.
Pjesa teatrale është perceptuar si një britmë dhe akuzë e një brezi të përjashtuar nga shoqëria e pasluftës dhe të brohoritur nga kritikët. Ajo është përkthyer në mbarë botën në 40 gjuhë.
Në shfaqje luajnë: Rafael Hoxhaj, Pjerin Vlashi, Nikolin Ferketa, Merita Smajaj, Julinda Emiri, Jozef Shiroka dhe Enver Hyseni. Koreograf: Gjergj Prevazi; skenograf: Divni Gushta; muzika: Agron Shala. Teksti i shfaqjes bazohet në përkthimin e Afrim Koçit.
Shfaqja është pjesë e Tetorit Gjerman. /Telegrafi/