Kanë mbetur shumë pak ditë deri në fillimin e edicionit të 16-të të festivalit ndërkombëtar të filmit – PriFest, një edicion i jashtëzakonshëm që premton shumë. Kinemaja regjionale dhe njëkohësisht gara kryesore e PriFest, filmat e metrazhit të gjatë Ballkanik, premton një program shumë tërheqës dhe atraktiv.
Filmi i parë i kësaj kategorie dhe njëherësh edhe filmi i cili do të hap këtë edicion është filmi LEJLEK (STORK) nga regjisori i mirënjohur Isa Qosja, film i cili vjen si premierë botërore në PriFest. Ky film është bashkëprodhim i Malit të Zi me Kosovën.
Filmi ‘Lejlek’ është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Filmi flet për një fshat të përgjumur në Malin e Zi, ku shumica e vendasve kanë emigruar në SHBA. Ky fshat është mjedisi i një historie të hidhur të tre grave. Suta i reziston presionit për t’u martuar me binjakun autik të burrit të saj të ndjerë, Vezirja dhe Dranja duhet të mësojnë të bashkëjetojnë pasi burri i tyre i përbashkët planifikon të largohet, Fizja përpiqet të gjejë një nuse për djalin e saj. Por, me ardhjen e një lejleku shqetësohen të gjithë fshatarët supersticioz.
Për 97 minuta, publiku do shikojë performancën e mrekullueshme të aktorëve: Arta Dobroshi, Donat Qosja, Shkumbin Istrefi, Arben Bajraktaraj, Flonja Kodheli, Doresa Rexha, Mirush Kabashi, Kumrije Hoxha, Zyliha Miloti, Luan Jaha, Selman Jusufi, Safete Rogova, Gentian Anastasi, Besa Tusha.
Producentë janë Ivan Gjuroviq, Bajrush Kajtazi dhe Snezhana Nikçeviq. Xhirues është Gokhan Tiryaki ndërsa montazher Vanço Mirakovski.
Drejtori i PriFest-it, Fatos Berisha me këtë rast tha: “Jemi shumë të lumtur që po e hapim edicionin e 16-të me premierë boterore, për me shumë me një film bashkëprodhim i Malit të Zi me Kosovën. Filmi i regjisorit të mirënjohur Isa Qosja me një kast të mrekullueshëm të aktorëve nga Kosova e Shqipëria do të hap festën e filmit dhe do të jetë në konkurencën zyrtare të kategorisë kryesore të filmave të metrazhit të gjatë ballkanik.”
PriFest zgjat nga 10-15 shtator 2024 në Kino Armata në Prishtinë. /Telegrafi/