Site icon Telegrafi

Prapaskenat e ndeshjes Kosovë – Greqi: Grushti i futbollistit grek ndaj Bytyqit, lutjet e dyshes kosovare, goditja e gjyqtarit në kokë me top si dhe kërkesa e shtabit teknik që të rishikohet VAR-i

Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar humbjen e parë në kampanjën kualifikuese për Ligën e Kombeve.

Në një atmosferë të zjarrtë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, Dardanët u mposhtën me rezultat minimal 0-1 nga Greqia.

Stadiumi ishte i tejmbushur në fillim të ndeshjes, por jo edhe në fund kur reshjet e shiut bën që tifozët të ikin dhe mos t’i përkrahin deri në fund futbollistët tanë.

Si gjithmonë Telegrafi sjell prapaskenat më interesante nga ndeshjet e Kosovës dhe edhe në këtë ndaj Greqisë kishte shumë të tilla.

Ambasadori amerikan i pranishëm në stadium

Figura të rëndësishme kanë qenë të pranishëm në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ ku njëri nga ta ishte edhe Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier i cili është edhe një adhurues i madh i futbollit.

Hovenier ka marrë dhuratë një fanellë të Kosovës nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Koreografia fantastike e Dardanëve

Si gjithmonë tifozët e Kosovës ‘Dardanët’ ishin në nivel të lartë. Edhe në këtë sfidë mbështetësit e ekipit përfaqësues kishin përgatitur një koreografi fantastik  të shkruar ‘Forca Kosovë’.

Fishkëllima për himnin shtetëror të Greqisë

Momenti që filloi himni grek të këndohet i gjithë stadiumi u ngrit në këmbë për ta vërshëllyer atë. Gjithsesi pas mbarimit të himnit grek, ai i Kosovës u respektua nga të gjithë.

Minuta e nëntë, të gjithë në këmbë për ta kujtuar legjendë Fadil Vokrri

Vazhdon tradita në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Momentin që u bë minuta e nëntë e ndeshjes, të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë dhe ndezën dritat e telefonit për ta kujtuar legjendën ‘Fadil Vokrri’.

Rashani i lënduar, por mori gruan dhe djalin për ta përkrahur nga tribuna Kosovën

Elbasan Rashani nuk u ftua në këtë grumbullim nga trajneri Alain Giresse. Sulmuesi i skuadrës franceze Clermont ishte i lënduar, por ai po qëndron në pushim në Kosovë. Gjithsesi Rashani vendosi ta ndjek ndeshjen nga stadiumi ‘Fadil Vokrri’ së bashku me bashkëshortën e tij Agnesën dhe djalin Lionin. Për djalin e Elbas kjo ishte hera e parë që shikon një ndeshje në stadiumin e Kosovës.

Grushti që mbrojtësi grek i dha Zymer Bytyqi pa top

Mbrojtësi grek George Baldock u tregua shumë i ashpër edhe pa top. Ai e goditi me grusht sulmuesin e Kosovës Zymer Bytyqin, por këtërast nuk e pa gjyqtari kryesor i ndeshjes.

Reagimi i ashpër i bankës së Kosovës, Shala dhe Ujkani i kërkojnë gjyqtarit ta shoh rastin në VAR

Samir Ujkani dhe menaxheri Bajram Shala reaguan ashpër te gjyqtari i katërt për grushtin që Baldock i dha Bytyqit. Dyshja kosovare i kërkuan gjyqtarit të katërt të rishikohet rasti në VAR, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Lutjet e Valon Berishës dhe Ibrahim Dresevicit

Valon Berisha dhe Ibrahim Dresevic u inkuadruan në lojë në minutën e 75-të të ndeshjes. Dy mesfushorët e Kosovës njihen edhe si besimtar të devotshëm dhe para inkuadrimit në lojë bënë lutjet e tyre.

Një top e goditi gjyqtarin anësorë në kokë

Gjyqtari anësorë u befasua shumë në minutat e fundit të ndeshjes. Një djalosh që kujdesej për topat t’i rikthente në lojë pa dashje ka goditur gjyqtarin anësorë në kokë. Gjyqtari u befasua fillimisht dhe shikoi se nga kush i erdhi, por kur e pa se ishte padashje nga fëmija ai vetëm buzëqeshi dhe pranoi kërkim faljen e vogëlushit.

Tifozët i lanë vet në minutat e fundit futbollistët në fushë, shiu dhe disavantazhi bëri që ta lëshojnë fushën

Fillimi i ndeshjes ishte fantastik, pasi thuajse nuk kishte asnjë vend të lirë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Mirëpo pasi filluan reshjet në stadium mijëra tifozë u larguan duke mos i përkrahur djelmoshat tanë deri në minutat e fundit të ndeshjes. Gjithseis kjo nuk ishte aspak e mirë pasi futbollistët e Kosovës kishin nevojë për përkrahje deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarëve.

Tifozët në fushë pas përfundimit të ndeshjes

Pas përfundimit të ndeshjes disa tifozë u futën në fushë për t’i takuar futbollistët e Kosovës. Shumica nga ta kërkuan foto me futbollistët, derisa kishte nga ta që morën edhe fanella të tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version