Ndërmarrja publike Posta e Kosovës përveç që nuk arrin të mbulojë shpenzimet e veta, ajo ka thelluar edhe borxhet ku janë mbi 2 milionë euro obligime ndaj furnitorëve të ndryshëm.
Kjo është e gjetur e raportit të auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të vitit 2019 të Postës së Kosovës, që Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kundërt, që opinioni kundër mbështetët në atë se pasqyrat financiare nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë të pozitës financiare të Postës së Kosovës.
Deputetja e LVV-së, Arta Bajralija, gjatë mbledhjes së Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka prezantuar të gjeturat kryesore të raportit vjetor të Auditimit për vitin 2019 për Postën e Kosovës, ku tha se Zyra Kombëtare e Auditimit edhe për vitin 2019 ka dhënë opsionin të kundërt.
“Përveç që ndërmarrja nuk arrin që të mbulojë shpenzimet e veta, ajo ka thelluar edhe borxhet e saj, raporti thekson se janë 2 milionë e 304 mijë e 190 euro obligime ndaj furnitorëve të ndryshëm. Për shlyerje të obligimeve kompania kishte kërkuar ndihmë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik me ç’rast është subvencionuar në vlerë prej 720 mijë euro dhe se këto mjete ishin paraparë për shlyerje të obligimeve ndaj ATK-së, mjete këto të cilat nuk u përdorën për qëllimin e destinuar, nuk u deklaruan drejtë në kontabilitet dhe një pjesë e tyre në vlerë prej 123 mijë e 569 euro nuk janë arsyetuar se si janë shpenzuar këto mjete më pas. Shpenzimet e personelit ku janë të përfshira pagat e punëtorëve është kategoria më shpenzuese e ndërmarrjes. Me 1 mijë e 22 punëtorë ndërmarrja shpenzon hiç më pak se 9 milionë e 121 mijë e 891 euro apo thënë ndryshe 75 përqind e të hyrave shpenzohen vetëm për paga”, tha ajo.
Kryesuesi i Bordit të Postës së Kosovës, Leonard Shabanaj, tha se kjo ndërmarrje publike përballet me borxhe të grumbulluara ndër vite dhe se humbjet milionëshe janë evidente nga viti në vit.
“Si kryesues i Bordit të Përkohshëm që në takimet e para me menaxhmentin jam përballur me gjendje të rëndë afariste, borxhe të grumbulluara me vite ndaj ATK-së dhe ndaj operatorëve. Jam përballur me pakënaqësi të trashëguara në të gjithë sektorët, gjendja e objekteve postare është e tmerrshme. Teknologjia informative është e stërvjetëruar dhe nuk përkon me trendët bashkëkohore. Sportelet kanë nevojë për ndërhyrje urgjente ku shërbimet jepen me vështirësi dhe vonesa që nuk përkojnë me kërkesat e klientëve. Problemet e menaxhimit të stafit, strukturave organizative, vija raportuese, diskriminimi dhe favorizimi nga ish-menaxhmentet kanë arritur kulmin e pakënaqësive dhe demotivimit të stafit është në pikën më të lartë, që po ndikon shumë në ofrimin e shërbimeve. Ish-bordet dhe menaxhmentet kishin toleruar me apo pa vetëdije grumbullim të borxheve, investimet kapitale kanë munguar për një kohë të gjatë dhe për pasojë modernizimi i Postës dhe përshtatja me tregun postar inovativ ka mbetur larg me vite. Humbjet milionëshe vjetore nga viti në vit janë evidente”, tha ai.
Shabanaj tha se me të marrë punën kanë kërkuar nga menaxhmenti që të merret me zbatimin e rekomandimeve që dalin nga Zyra Kombëtare e Auditimit, për çka tha se nga 25 rekomandime deri më tani janë zbatuar 11 prej tyre, kurse 14 rekomandime janë në proces të implementimit.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi, foli sa i përket të gjeturave të raportit rreth pronësisë së padefinuar të pasurive, ku përmendi se 19 prona i kanë të uzurpuara nga Posta e Serbisë në veri të vendit.
“Trashëgimia e dokumentacionit që është bërë nga ndarja e PTK-së është e viteve ‘59, ‘70 dhe vetëm 9 prej tyre kemi mundur t’i definojmë ose na i kanë njohur komunat edhe pse qeveria në atë kohë që ka pas dhënë rekomandim komunave dhe Zyra e Kadastrës Kombëtare që të na i bartë ato prona, por duke qenë se në dokumentacion paraqitet që objekti është i Postës ndërsa toka është e komunës. Shumë komuna ose 58 raste na kanë refuzuar, 19 raste i kemi të uzurpuara nga Posta serbe. Mirëpo, në pjesën tjetër është e vërtetë që nuk është definuar, por Posta e Kosovës ushtron veprimtari, i kontrollon, ushtron afarizëm, palët nuk kanë pretendime në ato prona dhe do të thotë kapaciteti ose funksioni i tyre është normal. Ne për këtë kemi ndërmarrë edhe veprime të tjera, kemi bërë edhe padi ndaj komunave që na i kanë refuzuar bartjen e pronës”, tha ai.
Smakiqi para deputetëve tha se Telekomi i Kosovës i ka borxh Postës 1.9 milionë euro.
“Telekomi ia ka borxh Postës së Kosovës 1.9 milionë euro dhe tash ndërmarrja publike ndërmarrjes publike nuk mundet me e shty qysh po e shtyn privati ose operatorët privatë po ia bllokojnë llogaritë ne po duhet me e lut njëri-tjetrin. Sot kur ne po flasim nuk i kemi ekzekutuar pagat për shumicën e punëtorëve, data është 15”, tha ai.
Kryetari i Komisionit Bedri Hamza, tha se është shqetësuese gjendja jo e mirë në ndërmarrjet publike në vend.
“Pothuajse të gjitha ndërmarrjet publike kanë ardhur në një situatë ku kërkojnë subvencione. Po nisna prej kësaj pozitives, më bëri përshtypje që një numër i konsiderueshëm i rekomandimeve nga raporti i Auditimit paraprak është zbatuar, një numër është në proces dhe është një numër shumë i vogël i cili ende nuk është adresuar. Më bëri të shqetësohem numri i madh i rekomandimeve edhe për vitin 2019”, tha ai.
Ai ka kërkuar që sa më shpejt qeveria të emërojë bordin e drejtorëve që pastaj të bëhet emërimi i kryeshefit ekzekutiv. Sipas tij, gjendja në këtë ndërmarrje nuk mund të ndryshojë me mbajtja e pozitave me borde të përkohshme dhe me ushtrues detyre.
Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, tha se gjendja në Postën e Kosovës është më keq sesa është paraqitur në raportin e Auditimit për vitin 2019.
“Unë po them gjendja është më keq sesa është paraqitur në raportin e Auditimit. Bile tu e pas parasysh që edhe pse që shumë vite unë nuk jam aty megjithatë Posta është një institucion, një kompani publike që secili prej nesh e frekuentojmë dhe përveç kësaj kur ne e shohim raportin vërtetë gjendja është shumë shqetësuese. Është e vërtetë që ne të gjitha kompanitë publike në Kosovë nuk i kemi mirë, por sa i përket Postës apo Postë Telekomit që quhej deri në vitin 2011 kur është bërë ndarja, është fat i keq që kjo kompani është duke u degraduar e jo duke hyrë në funksion mundësitë e saj”, tha ajo.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Ali Berisha, ka kërkuar nga bordi dhe menaxhmenti të dijë se cili është plani i tyre sa i përket rritjes së të hyrave për ndërmarrjen.
“Është një diskrepancë në mes të hyrave që i keni në organizatën e juaj dhe shpenzimeve, çfarë do të bëni, a do t’i zvogëloni rrogat?. Pasi që siç shihet ose duhet me i rrit të hyrat, në qoftë se nuk keni plan konkret të rritjes së të hyrave të organizatës, atëherë çfarë plani?. Ju do të shkoni drejt falimentimit nëse nuk ndërmerrni konkret hapa ose të rritjes së të hyrave ose në zvogëlim të shpenzimeve ku gati 90 përqind të shpenzimeve i keni në rroga”, tha ai.
Rreth kësaj çështje, kryesuesi i Bordit të Postës së Kosovës, Leonard Shabanaj, tha se janë duke punuar në harmonizimin e gradave për të punësuarit, ku nga kjo tha se do t’i kursejnë 250 mijë euro në vit.
“Grada nga 1 deri në 8 nuk do të preken për asnjë cent, do të thotë pagat do të mbesin siç kanë qenë. Gradat nga 8 deri në 17 do të bëhet hierarkia natyrisht sipas planifikimit që e kemi bërë, por do të ketë edhe zbritje për ata që e kanë paga të majme mbi 1 mijë euro”, tha ai.
Në këtë mbledhje të komisionit është bërë edhe shqyrtimi i raportit të auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të vitit 2019, për Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor sh.a Prizren./KP/