Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi mori pjesë në takimin e ministrave të mbrojtjes së vendeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut që u mbajt në selinë e NATO-s, në Bruksel.
Në qendër të diskutimeve të këtij takimi ishte forcimi i mëtejshëm i Aleancës dhe vijimi i mbështetjes për vendet partnere të NATO-s, në një kohë që agresioni rus në Ukrainë ka kaluar 100 ditë që nga nisja e tij, the ministria në një njoftim për shtyp.
Këtij takimi i’u bashkuan edhe ministrat e Mbrojtjes së Ukrainës, Gjeorgjisë, Suedisë, Finlandës, si dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian.
Gjatë fjalës së tij, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u shpreh se vendi ynë do të mbështesë dhe kontribuojë në rritjen dhe përforcimin edhe me kapacitete ushtarake të kufijve të Aleancës, në interes të mbrojtjes dhe ruajtjes së popullsisë së saj.
Ministri Peleshi foli për projektin e ri të Porto Romanos në Durrës që do të ofrojë edhe infrastrukturë të dedikuar për Forcat e Armatosura dhe Aleancën e NATO-s.
“Ne e vlerësojmë infrastrukturën tonë kritike, jo vetëm nga perspektiva kombëtare, por edhe nga ajo e Aleancës. Në këtë kuadër, duke pasur parasysh vendndodhjen gjeografike, Porti i Durrësit shërbeu si një qendër pritjeje e stërvitjes “Defender Europe 2021” gjë që dëshmon se është një pikë strategjike që lidh detin Adriatik dhe Detin e Zi që njihet ndryshe edhe si Korridori 8”, u shpreh Peleshi.
Ai tërhoqi vëmendjen në lidhje me efektet që lufta e Rusisë ndaj Ukrainës mund të sjellë në rajonin e Ballkanit. Ministri i Mbrojtjes theksoi rëndësinë që ka në këtë situatë përshpejtimi i procesit të integrimit Euro-Atlantik të vendeve të rajonit.
Gjithashtu ministri Peleshi tha se është i rëndësishëm dërgimi i një mesazhi të fortë se siguria e rajonit të Ballkanit mbetet interes jetik për Aleancën dhe se Rusia me “levat” e saj nuk duhet të lejohen të destabilizojnë mbarë rajonin.
Ministrat e vendeve të Aleancës u pritën më herët në një darkë pune nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, i cili vlerësoi mbështetjen e pakursyer që vendet aleate dhe partnere të NATO-s kanë dhënë në kapacitete ushtarake, ndihmë financiare dhe asistencë humanitare. Gjithashtu, Ai theksoi se Aleanca është dhe mbetet e vendosur për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën, si dhe mbetet optimist se kryetarët e shteteve dhe qeverive të vendeve të Aleancës do të miratojnë një Paketë Asistence Gjithëpërfshirëse gjatë Samitit të Madridit, që është planifikuar të zhvillohet më 29-30 qershor. /Telegrafi/