Telegrafi

“Porosis gjithmonë dy kafe, kthej kokën por prap vetëm”, Agron Llakaj përlot me postimin për të bashkëshorten e ndjerë

Kanë kaluar dy muaj nga ndarja parakohe nga jeta e bashkëshortes së aktorit të njohur shqiptar, Agron Llakaj, pas betejës me një sëmundje të rëndë. Në një postim të bërë në rrjetet sociale, Agron Llakaj i ka përlotur të gjithë, teksa i dedikon fjalë zemre shoqes së tij të ndjerë, Kostandinës.

Postimi i tij prekës përshkruan ndjenjat e tij të thella dhe të dhimbshme për humbjen e bashkëshortes. Ai ndan me ndjekësit e tij përvojën e përditshme të mungesës dhe trishtimit që e ka kapluar pas humbjes së saj.

“Kaloja ditët dhe serish mbetem i pushtuar nga mungesa jote, Kostandina… dhe jetën e shikoj krejt ndryshe. Sa i pakuptimt ky fati ynë?! Shtyj një ditë, një javë…, sot 2 muaj…, ushqej mendimin se do të më kthehesh serish dhe s’di… Eci rrugës dhe më duket se përpara do të më shfaqesh ti, ke qenë në punë, në bankë a diku.”

Llakaj përshkruan momentet e përditshme kur e ndjen praninë e Kostandinës, si kur ecën në rrugë dhe dëgjon hapa që i kujtojnë ritmin e hapave të saj, apo kur ndalon në kafenenë e tyre të përbashkët dhe porosit gjithmonë dy kafe, sikur ajo të jetë ende pranë tij.

“Ulem te vendi ynë në kafene dhe porosis gjithmonë dy, dy gjysma kafe dhe një shishe ujë… Në shtëpi çdo lëvizje e hapje e mbyllje dere më rrënqeth të gjithin.., mos po vjen ti?!”

Agroni shpreh edhe mungesën e zërit dhe të qeshurës së saj, dhe kujton bisedat e tyre të përditshme, të cilat tani janë shndërruar në kujtime të dhimbshme.

“Me mungon e qeshura jote…, malli më shqyen për zërin tënd në telefon – ‘He mo Agron?! Pusho pak, mos rri pa ngrënë…, të të pres apo vonon?!’ E ditët shtyjnë njëra-tjetrën e hëna me diellin vazhdojnë të ndërrojnë vendet…, unë jo…, të pres ty”.

Në përfundim, Llakaj e krahason pritjen e tij me atë të Hachiko-s, qeni besnik që priste për zotërinë e tij për vite me radhë, duke shprehur dëshirën e tij të vazhdueshme për t’u ribashkuar me Kostandinën në çdo vend ku ai shkon.

“E si Hachiko jam shndërruar në pritje, në pritje deri në amshim.., nuk kam një vend ku Ty të të pres, në çdo vend më mungon Ti”.

Ky postim i ndjerë i Agron Llakaj tregon dashurinë dhe lidhjen e fortë që ai kishte me bashkëshorten e tij, dhe dhimbjen e madhe që po përjeton pas humbjes së saj. /Telegrafi/