Kryetari i Lëvizjes Qytetare “Odgovor”, Boban Bogdanoviq, ka nisur një fushatë për krimet e kryera të Serbisë ndaj popullatës civile në Kosovë.
Këtë nismë Bogdanoviq e ka bërë të ditur në platformë “X”, të enjten.
Ai tha se zyrtarisht ka paraqitur padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë – veçanërisht për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999.
Për këtë i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta mbështes në këtë drejtim, po ashtu edhe popullin e Kosovës.
“Sot kam filluar një fushatë zyrtare për Kosovën. Kam paraqitur një padi ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për të gjitha krimet e kryera në Kosovë dhe veçanërisht për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe popullit të Kosovës për mbështetje”, ka shkruar Bogdanoviq.
Bogdanoviq, më herët kishte kërkuar falje popullit shqiptar për krimet që kriminelët serbë i kanë bërë në Kosovë.
“Shqiptarët dhe serbët kanë një përgjegjësi të madhe. Ne duhet të ndërtojmë themele të reja të bashkëpunimit dhe miqësisë sonë! Unë gjithmonë do t’i kërkoj falje popullit shqiptar për krimet e kryera në emër të Serbisë nga kriminelët e Millosheviqit dhe Vuçiqit”, ka pohuar ai.
Ndërkaq, për mbështetjen ndaj Kosovës, ai thotë se vitin e kalur është intervistur edhe nga Agjencia Informative e Sigurisë së Serbisë (BIA).
Ndryshe, sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999, janë vrarë më shumë se 13.500 njerëz, shumica dërmuese e të cilëve ishin civilë shqiptarë.
Muaji më i përgjakshëm ishte prilli i vitit 1999 kur u vranë 4,082 persona.
Bazuar në të dhënat nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që ka monitoruar proceset e gjykimeve në rastet e krimeve të luftës, thuhet se deri tani, në Kosovë, për krime të luftës në procese gjyqësore, kanë qenë të përfshirë 111 persona, kurse janë dënuar vetëm 41 prej tyre./Telegrafi/
Today I started an official campaign,
to ?? submit a lawsuit against ?? to the International Court of Justice for all the crimes committed on ??
and especially for the genocide against Kosovo Albanians in 1999.
I call on the international community and the ?? public for support!— Boban Bogdanović (@DissidentAnswer) May 16, 2024