Site icon Telegrafi

Politikanët e Kosovës nderojnë Bajram Qerkinin: Drejtësia për të zhdukurit mbetet amanet

Figura të shquara të politikës dhe shoqërisë kanë reaguar pas lajmit të hidhur për ndarjen nga jeta të Bajram Qerkinit, kryetarit të shoqatës “Zëri i Prindërve”.

Ai ishte një njeri që jetoi për kauzën e drejtësisë, duke kërkuar pa u lodhur për fatin e të zhdukurve, përfshirë djalin e tij, Reshatin.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka shprehur ngushëllimet e tij për humbjen e madhe.

Ai theksoi se Baca Bajram nuk ishte thjesht një udhëheqës, por simbol i forcës dhe këmbënguljes në kërkim të drejtësisë.

“Ai nuk ishte thjesht Kryetari i Shoqatës ‘Zëri i Prindërve’ – ai ishte fuqia e prindërve në pritje dhe zemra e një populli që ende pret drejtësi,” tha Krasniqi.

Krasniqi theksoi se kauza e Bacës Bajram dhe e qindra bashkëkombësve të tij mbetet një amanet i përjetshëm. “Nuk do t’i harrojmë ata që mungojnë dhe nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për ta,” shtoi ai.

Po ashtu, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar me dhimbje, duke e përkujtuar Bacën Bajram si një figurë të urtë dhe të palëkundur. “I pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të Bajram Qerkinit, plakut të urtë që kurrë nuk u ndal së kërkuari të vërtetën për fatin e djalit të tij të zhdukur dhe të gjithë të zhdukurve tjerë,” tha Haradinaj.

Ai e përshkroi Bajram Qerkinin si një njeri që iku nga kjo botë pa e mësuar kurrë se çfarë kishte ndodhur me të birin dhe shumë të tjerë.

“Baca Bajram do të kujtohet si njeri i urtë, i fortë dhe i palëkundur në kërkimin e së drejtës,” shtoi Haradinaj. /Telegrafi/

 

Exit mobile version