Site icon Telegrafi

Policia në Shqipëri jep detaje për sulmin e shtetasve rus ndaj dy ushtarëve në uzinën e armëve në Gramsh

Policia Shqiptare

Policia shqiptare ka dhënë informacione shtesë për sulmin e shtetasve rus ndaj dy ushtarëve shqiptarë në Uzinën Ushtarake në Gramsh.

Policia thotë se në afërsi të rrethimit të uzinës është konstatuar një shtetas i paidentifikuar me aparat fotografik në dorë, i cili ka tentuar të fotografojë ambientet e zonës ushtarake.

“Në momentin që dy ushtarakët që ruanin objektin, e kanë pikasur dhe i janë afruar ta ndalojnë dhe ta kapin, shtetasi i huaj iu është kundërpërgjigjur me spray neuroparalizues, por 2 ushtarakët që ruanin uzinën kanë bërë të mundur neutralizimin e tij.

Shërbimet e Policisë me të marrë njoftim kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z., 24 vjeç, në ambientet e Komisariatit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë nga veprimet paraprake hetimore kanë marrë informacion se ky shtetas ishte shoqëruar edhe nga dy shtetas të tjerë dhe menjëherë kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë  kontrolluar zonën.

Lexo po ashtu Dy rusë sulmojnë me "spray neuroparalizues" dy ushtarë në uzinën e armëve në Shqipëri

Shërbimet e Policisë bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse S.T. 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25  vjeç, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes edhe dokumentimin ligjor të saj

Për këtë ngjarja janë angazhuar  Departamenti i Policisë Kriminale dhe Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit  dhe po koordinohen veprimet me Shtabin e Përgjithshëm të  Forcave të Armatosura.

Dy ushtarakët e dëmtuar pas ndihmës së parë mjekësore janë transportuar në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin e policisë shqiptare./Telegrafi

Exit mobile version