Ndërhyrja e njësisë elitare të Policisë së Kosovës më 28 nëntor në zyrat e Vetëvendosjes, ishte mjeti i fundit që do të duhej të përdorej nga policia, raporton KTV.
Kështu kanë vlerësuar hulumtues të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, gjatë prezantimit të raportit monitorues dhe vlerësues për integritetin e institucioneve të sigurisë në Kosovë.
Plator Avdiu nga kjo qendër ka deklaruar ndër të tjera se Policia e Kosovës është e ndikuar politikisht, duke përmendur rastin e suspendimit të dy policëve vetëm pse dënuan shoferin e një ministri.
Por, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë, Naim Rexha, ka deklaruar se janë të gatshëm për hetimin e nisur nga ana e Prokurorisë, për atë që ndodhi gjatë arrestimit të Albin Kurtit dhe aktivistëve të tjerë ditën e protestës.
Në këtë raport janë pasqyruar edhe sfidat e tjera të institucionit të Policisë së Kosovës, si në sferën e burimeve njerëzore, gradimin brenda policisë, kontrollin e brendshëm, e shumë çështje të tjera.
Për FSK-në, u tha se është institucioni më i besueshëm, derisa ngec në menaxhimin e financave dhe se nuk ka një plan konkret për shpenzimin e buxhetit.