Situata e zjarreve në Prizren është nën kontroll, ndonëse kujdesi duhet të shtohet, kanë bërë të ditur zyrtarët policorë dhe ata të emergjencave e zjarrfikësve, pas një takimi të zhvilluar të enjten.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, takimi me koordinatorin e AME-së dhe komandantin e Zjarrfikësve në Prizren është realizuar në kuadër të partneritetit institucional për siguri si dhe për organizim sa më profesional në incidentet e zjarreve, raporton Telegrafi.
Lidhur me këtë çështje, Policia ka bërë të ditur se vera karakterizohet me temperatura të larta të ajrit, të cilat ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen dhe zgjerimin e vrullshëm të zjarreve në sipërfaqe të hapura, malore dhe fushore.
“Me qëllim të evitimit të rrezikut nga zjarri, mbrojtjes të jetës së qytetarëve, të pronës, shtazëve dhe ambientit, apelojmë që të jemi të gjithë të kujdesshëm dhe vigjilent për shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit, vërejtjen dhe lajmërimin me kohë, si dhe të ndihmojmë në shuarjen e zjarrit në fazën e parë të shfaqjes, kudo që ai mund të paraqitet”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Aty është përkujtuar se reagimi në rreziqe dhe kërcënime është detyrë dhe obligim për secilin qytetar, raporton Telegrafi.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Prizren si dhe akterët tjerë apelojnë tek të gjithë qytetarët që të kenë kujdes të shtuar në këto ditë të nxehta. Bëjnë apel që të raportojnë çdo zjarr në: Njësinë më të afërt Profesionale te Zjarrfikës dhe Shpëtimit në numrin e telefonit 193; Policinë e Kosovës, në numrin e telefonit 192, Ndihmën e shpejtë, në numrin e telefonit 194”, thuhet në njoftim, teksa shtohet se zjarrvëniet e qëllimshme, si dhe ato të shkaktuara nga pakujdesia, janë vepër penale dhe sanksionohen me ligj. /Telegrafi/