Policia e Kosovës ka thënë se rreth orës 14:00 ka pranuar një telefonatë anonime, përmes së cilës një person ka deklaruar se ka vendosur mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë.
Kështu ka thënë për Telegrafin, zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Menjëherë policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës”, ka thënë Ahmeti.
Policia tashmë ka filluar kontrollet në hapësirat e stacionit, duke kontrolluar edhe autobusët që kanë qenë të vendosur në stacion. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipi i emergjencës dhe zjarrfikësit.
Telegrafi më herët ka raportuar lidhur me dyshimet për bombë në stacionin e autobusëve në Prishtinë. /Telegrafi/