Site icon Telegrafi

Polici në Shkodër ngre alarmin: Po na shesin te kriminelët, na tradhtojnë kolegët

Një efektiv policie në Shkodër ka ngritur një alarm të fortë, duke pretenduar se disa prej kolegëve të tij janë duke bashkëpunuar me kriminelët.

Deklarata e tij vjen si një kritikë e ashpër ndaj sistemit, duke theksuar se informacioni i brendshëm i policisë mund të jetë duke rrjedhur për të ndihmuar autorët e atentateve.

“Shumë shkurt, atentatet bëhen sepse shiten policët,” u shpreh ai, duke nënvizuar se sulmuesit arrijnë të marrin informacion të detajuar për policët. “Atentatorët diku marrin informacion, sepse është e pamundur që ata t’i njohin të gjithë policët. Atentatet janë bërë ndaj policëve në sektorë të ndryshëm, OPGJ, patrulla, shqiponja, krime madje dhe ndaj rrugores,” tha ai. Sipas tij, dikush i brendshëm “i shet policët.”

Ky oficer, i cili kërkoi të mbetej anonim, ka vite që punon në Policinë e Shkodrës dhe ndjen frikën se, ashtu si kolegët e tij, edhe ai mund të bëhet objekt i një atentati në të ardhmen.

Ai vendosi të flasë publikisht për problematikat që kanë mbërthyer policinë, duke denoncuar lidhjet e disa efektivëve me bandat kriminale që përfliten brenda strukturave të policisë.

“Policët shiten nga kolegët e tyre. Është e pamundur që një epror që vjen nga rrethet të ketë dijeni për të gjithë policët, për punën, për lidhjet, për banesat, etj. Policia është e kalbur nga disa individë, që kanë vite në punë dhe që janë të lidhur me krimin dhe kriminelët,” deklaroi ai.

Ai shtoi se këta punonjës mbajnë lidhje të dyfishta, duke bashkëpunuar nga njëra anë me elementët kriminalë dhe duke u përpjekur nga ana tjetër t’u tregohen eprorëve të bindur për të shmangur transferimet.

“Janë ata policë që nga njëra anë e mbajnë mirë me shkelësit e ligjit dhe nga ana tjetër u lëpihen eprorëve për të mos i transferuar. Kështu tërhiq e mos e këput krijojnë dhe balanca financiare,” shpjegoi ai, duke përmendur atentatin ndaj kolegut të tij, Gjergj Ndershtiqaj si një nga rastet më të rënda që ilustron këtë problem, raporton tch.

Exit mobile version