Site icon Telegrafi

POEZIA

Nga: Carl Solomon
Përktheu: Fadil Bajraj

Pjesa më e madhe e poezisë sot është e mërzitshme, e pakuptueshme ose janë që të dyjat. E preferoj poezinë që përpiqet të ketë njëfarëlloj pikëpamjesh filozofike. Ajo duhet të ketë mbështetje në teori, ose ta ilustrojë teorinë që vërtet të më zgjojë interesim. Nëse i mungon bërthama e forte e ideve, atëherë ajo është vetëm fjalë. Arsyeja, pse e ndiej se poezia po krijohet për t’iu nënshtruar psikiatrisë së sotme (poashtu edhe filozofisë) është se kjo shkencë ofron teori dhe ide, përderisa poezia (që nga surrealizmi) këtë nuk po e bën. Poetët u kthehen shumë e më shumë teorive (nga brenda ose nga jashtë) të shëndetit mendor, sepse psikiatria tash duket se është mbretëreshë e disiplinave intelektuale. E jona vërtet është bërë botë pa poezi dhe kjo është arsyeja që qytetet tona tash duken si çmendina të hapura. Policët (shërbëtorët) grumbullojnë tuhafët rreth blloqeve të qytetit sikur në pavijone të mëdha. Absolutisht s’ka kurrfarë dallimi nga të jetuarit jashtë spitalit dhe brenda tij. Nuk di se çfarë tjetër të shkruaj që ta përtërij drejtpeshimin tuaj, veçse t’ju sugjeroj që më mire të merreni me punë fizike (nëse tashmë nuk e keni bërë këtë). /Telegrafi/

Exit mobile version