Në Elbasan do të ndërtohet pista e parë prej 5.3 km për zhvillimin e garave automobilistike në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Disa kompani ndërkombëtare kanë prezantuar sot zhvillimin e projektit Auto Moto Park Albania, që për kryeministrin Edi Rama do të jetë një gjenerator të ardhurash për ekonominë e vendit.
“Është një epokë të re për Elbasanin dhe Shqipërinë, për ta vendosur Shqipërinë në një tjetër hartë ku ajo mungon plotësisht dhe për t’i hapur Shqipërisë një tjetër derë prej ku një tjetër kategori vizitorësh do të mund të hyjnë për të fuqizuar më tutje ekonominë tone. Ky projekt i hap rrugë edhe një tjetër fronti të punësimit cilësor të të rinjve, jo thjesht vende pune, por vende pune të mirëpaguara”, deklaroi kryeministri.
Optimizmi i shefit të qeverisë shkon përtej kapacitetit të kësaj piste që do të ndërtohet në të ardhmen.
“Shumë gjëra deri dje në dukje të pamundura, tani janë në rrugën që po bëhen të mundura, edhe ajo çka do të dukej e pamundur deri më sot që në Shqipëri, të kishim edhe një garë të Formula 1, e ardhmja do të tregojë se edhe kjo është e mundur”, shtoi Rama.
Kjo hapësirë, që është parashikuar të nisë ndërtimin vitin e ardhshëm, do të shërbejë edhe si qendër shërbimesh, ku do të jetë i përfshirë edhe Muzeu RETRO, Autodromi dhe Kartodromi. Në pistë do të zhvillohen gara shpejtësie me gjatësi 1.2 km ndërsa do të ketë edhe zonë sportive për mjetet ajrore ultra të lehta. /Telegrafi/