Kompanitë bioteknologjike gjermane, BioNTech dhe partneri i saj amerikan, Pfizer kanë përdorur pa leje pronën intelektuale të Moderna-s gjatë zhvillimit të vaksinës kundër COVID-19 dhe duhet t’i paguajnë asaj një kompensim.
BioNTech dhe Pfizer kanë shkelur të drejtat e patentave të Moderna gjatë zhvillimit të vaksinës kundër COVID-19, ka vendosur një gjykatë në Düsseldorf të mërkurën dhe ata duhet t’i paguajnë një kompensim të përshtatshëm. Vendimi përfshin gjithashtu kërkesën për BioNTech dhe Pfizer që të dorëzojnë informacion mbi të ardhurat nga përdorimi i patentës.
“Moderna, e cila ka selinë në SHBA, ka dorëzuar kërkesa për informacion dhe dëmshpërblim për shkeljen e të drejtave të saj të patentave në zhvillimin e vaksinës kundër COVID-19. Gjykata rajonale në Düsseldorf ka vendosur në favor të Modernas”, tha një zëdhënëse, shkruan reuters.
Kompanitë e akuzuara kanë pohuar se Moderna në një njoftim për shtyp në tetor të vitit 2020 lejoi përdorimin e patentës. Sipas pretendimeve të tyre, leja ka qenë e vlefshme deri më 5 maj 2023, kur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli se coronavirusi nuk është më një kërcënim për shëndetin publik.
Gjykata ka arritur në përfundimin se Moderna në një njoftim për shtyp të publikuar më 7 mars 2022 ka tërhequr lejen. Prandaj, sipas mendimit të gjykatës, BioNTech gjerman dhe Pfizer amerikan duhet të paguajnë për përdorimin e patentës për 14 muaj pas tërheqjes së lejes, dhe jo vetëm nga maji i vitit 2023.
Gjykata gjermane ende nuk ka përcaktuar shumën e dëmshpërblimit që Moderna ka të drejtë të marrë. Pfizer dhe BioNTech kanë të drejtë të apelojnë. /Telegrafi/