Një sërë sulmesh kundër gazetarëve, kanë tronditur Meksikën, duke shënuar ditën më të errët për lirinë e shtypit në vend, në më shumë se 10 vjet.
Raportohet nga mediat se, në një nga sulmet e së martës, katër gazetarë u qëlluan pranë një kazerme ushtarake në shtetin jugor Guerrero, pasi kishin mbuluar një nga shumë vrasjet që ndodhin pothuajse çdo ditë në shtetin meksikan, përcjell Telegrafi.
Prokurorët e shtetit kanë theksuar se gazetarët po përballen me rreziqe të vazhdueshme për të zbuluar të vërtetën.
Disa orë më vonë, gazetari Maynor Ramon Ramirez, dhe një shoqërues i tij, u plagosën në shtetin fqinj të Michoacan, duke shpallur kështu një situatë alarmante për sigurinë e gazetarëve.
Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, shprehu keqardhje për ngjarjet, por nuk ofroi informacion mbi motivet e mundshme të sulmeve.
Ndryshe, kjo valë e re e dhunës vjen vetëm disa ditë pas rrëmbimit të tre gazetarëve në Taxco, Guerrero.
Më pas ata u liruan, por ende nuk ka informacion rreth rrëmbimit të tyre.
Guerrero dhe Michoacan, janë skena të betejave të ashpra mes bandave të drogës dhe karteleve, duke lënë gazetarët në një rrezik të vazhdueshëm për jetën e tyre.
Të shtënat dhe rrëmbimet e së martës, shënojnë disa nga sulmet më masive ndaj gazetarëve në Meksikë, që nga fillimi i vitit 2012, kur trupat e tre fotografëve të lajmeve u gjetën në qese plastike në një kanal në qytetin bregdetar të Gjirit Veracruz.
Për këto vrasje fajësohej karteli dikur i fuqishëm i drogës Zetas.
Vetëm në pesë vitet e fundit, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve dokumentoi vrasjet e të paktën 54 gazetarëve në Meksikë. /Telegrafi/