Site icon Telegrafi

Përzgjedhja e aktorëve shqiptarë, për filmin “Skënderbeu”

Nga: Sergei Iosifovich Yutkevich
Përgatiti dhe përktheu Bujar Hudhri

Me veçoritë e lojës së aktorëve shqiptarë u ndesha nga afër gjatë xhirimeve të filmit “Luftëtari i madh i Shqipërisë – Skënderbeu”. Natyrisht, i druhesha në kohët e para faktit, se mosnjohja e dyanshme e gjuhës, do të pengonte kontaktin tonë krijues. Por, doli që kjo frikë ishte krejt e pabazë.

Aktorët sovjetikë dhe ata shqiptarë dolën aq të afërt me njeri-tjetrin me botë e tyre e brendshme, synimet e tyre artistike, dhe një shikues i pastërvitur, duke parë këtë film, zor se mund të përcaktojë me saktësi se cilin është aktori sovjetik dhe ai shqiptar.

I shpenguar dhe natyrshëm hynte në sheshin e xhirimit Mihal Popi, në rolin e Ballaban Pashës. Megjithëse luante për herë të parë në një film, në lojën e tij nuk ndihej presioni më i vogël teatral. Po kaq organik, si në skenë, e përkryente figurën para objektivit të aparatit të filmit.

Për rolin e vështirë të Palit, udhëheqësit fshatar, shok lufte i Skënderbeut, që në vizitën time të parë në Shqipëri e kisha zgjedhur interpretuesin.

Në spektaklin “Zëri i Amerikës”, sipas dramës së B. Lavrenjevit, pikasa një aktor, i cili më mahniti me atë tensionin e brendshëm të jetës, me të cilën jetonte në skenë, në një rol të dorës së dytë, atë të një rreshteri amerikan.

Zakonisht thuhet se sytë e aktorit, shikimi i tij, që transmeton mekanikën e ndërlikuar të jetës shpirtërore, janë një element i rëndësishëm i fuqisë shprehëse në ekran, jo dhe aq i detyrueshëm për aktorin e teatrit. Por unë për shkak të zakonit tim të vjetër të kineastit, pikërisht i kushtoj vëmendje përherë se si sillen në skenë sytë e aktorit.

Aktori Naim Frashëri në rolin e Palit, dhe aktorja Adivije Alibali në rolin e Mamicës

Interpretuesi i rreshterit amerikan më befasoi me lojën e tij të përkorë dhe thellësinë e mendimit, e cila, siç më dukej, ndjehej në shikimin e ngulur, disi të trishtuar të syve të tij të mëdhenj, ngjyrë gështenjë të errët.

Shfletova programin e shfaqjes. Aty figuronte emri i aktorit- Naim Frashëri. Ishte e lehtë ta mbaja mend: Naim Frashëri – kështu quanin poetin e shquar, klasikun e letërsisë shqipe. Ishte njësoj sikur një aktor rus ta thërrisnin Aleksandër Pushkin.

Më la një përshtypje të këndshme kur e njoha personalisht aktorin. Modest, inteligjent, nuk kishte asgjë prej cabotin-i. [cabotin- që synon lavdinë, shkëlqimin, sukseset e jashtme, artificialitetin]. Mbase, në simpatinë time për Naim frashërin ishte diçka e mezikapshme: ai më kujtonte Aleksandër Moisiun.

Aktori Akaki Horava në rolin e Skënderbeut, dhe aktorja Besa Imami në rolin Donikës

Puna me Frashërin për rolin në film më dha një gëzim të madh krijues. Ai, ashtu si edhe Mihal Popi, u përshtat kollaj me teknikën e kinemasë. Natyrshmëria dhe thjeshtësi nuk e braktisën kurrë. Nuk koketnoi me pamjen e tij të jashtme, tepër favorshme, dhe asnjëherë nuk u ankua për ngarkesën shtesë prej regjisorit. Për një kohë të shkurtër përvetësoi artin e vështirë të luftimit me shpatë.

Edhe tani shpresoj se miqësia jonë artistike do të vijojë. Sa do të dëshiroja të vija në skenë “Hamletin”, me Naim Frashërin në rolin kryesor dhe t’ia kushtoja këtë shfaqje kujtimit të Aleksandër Moisiut!

Zgjedhja e aktores në rolin jo të madh, por me përgjegjësi, të Donikës (në fillim të fejuarës, pastaj të gruas së Skënderbeut), u bë në disa rrethana dramatike.

Në udhëtimin tim të parë në Shqipëri, nuk munda të gjeja një kandidaturë të përshtatshme dhe kështu fillova kinoprovat në Moskë, duke shpresuar te miqtë shqiptarë, që më premtuan se do të më rekomandonin një interpretuese.

Kisha dëgjuar prej tyre emrin e Besa Imamit, një aktore e talentuar shqiptare. Për fat të keq, ajo ishte e sëmurë në atë kohë, kur po udhëtoja nëpër Shqipëri.

Po afrohej koha e xhirimit të episodit, kur për herë të parë do të shfaqej Donika dhe unë rrezikova ta ftoj Besa Imamin në Moskë, pa e parë asnjëherë në skenë, por vetëm në një fotografi me grim teatri, çka të jepte një përfytyrim të zbehtë për pamjen e saj të jashtme dhe botën e brendëshme.

Aktorja Krisanthi Kotnilo, në rolin e Vojsavës

Për shkak se isha me xhirime, nuk munda ta prisja aktoren në stacionin hekurudhor dhe me një padurim që merret me mend, e pyeta asistentin tim se çfarë përshtypje i kishte lënë ajo. Nuk më tha asgjë përcaktuese, prandaj me një farë frike e prita të shfaqej në prova.

Po kur ajo me atë pamje prej një gruaje fare të zakonshme, shqiptoi fjalët e para të rolit dhe sytë ngjyrë gri, të mëdhenj, me bisht u ndezën nga një dritë e brendëshme – befas ndodhi vetë çudia e transformimit, e cila quhet sekreti i artistit vërtet të talentuar.

Ishte pikërisht ajo që i mahniti shikuesit perëndimorë, kur ndeshen me gjeninë e Galina Ullanovës, e cila në jetën e përditshme kishte një pamje që nuk të mbetej në mend, mënyra se si e mbante veten, kaq ndryshe nga yjet perëndimorë, që janë të mësuar me publicitetit dhe pozimin.

Besa Imami i përket pikërisht këtij tipi aktoresh me një jetë të pasur të brendshme, të cilat sikur kanë frikë ta shpalosin në rrëmujën e përditshme.

Në çdo episod të ri do të zbulohej edhe më thellë talenti i aktores dhe nga ekrani gjithnjë e më shumë do të shfaqej ajo cilësi e padukshme që ne e quajmë magjepsje, e cila është vendimtare për të ngjallur simpatinë e shikuesit për personazhin e dramës.

Më duket se në vlerësimin e talentit të aktorit ne ende i kushtojmë pak vëmendje asaj që në gjuhën profesionale të kineastëve perëndimorë thuhet “personalitet”, që do ta përktheja si “individualitet”, megithëse, ky prapë se prapë do të jetë një përkufizim jo i saktë i atyre cilësive të magjepjes vetjake, jo aq fizike, se sa të brendëshme, e cila i jep aktorit një vlerë të veçantë.

Shpesh kërkojmë për heronjtë e ekraneve tona vetëm karakterizimin e jashtëm ose “bukurinë e jashtme të rreme”, duke harruar që objektivi i aparatit të kinemasë është veçanërisht i ndjeshëm ndaj botës së brendëshme të njeriut.

Profesioni nganjëherë e gërryen, si ndryshku, individualitetin e aktorit. Prandaj kaq shpesh na shfaqet në ekran dhe në skenë shikimi jo shprehës dhe i pajetë i syve të shuar. Atëhere humbet ajo rrymë magjike e cila lidh shikuesin me aktorin dhe nuk ndodh ajo mrekulli e artit, dhe shikuesi largohet i ftohtë dhe indiferent, sepse në llogari të fundit, atë nuk mund ta mashtrosh me asnjë truk të zanatit.

Ja këtë magji të individualitetit zotëron në shkëlqim të plotë Besa Imami. Ja përse ia doli të realizojë rolin e Donikës, ja përse e kujtoj me mirënjohje takimin tonë artistik.

Aktori Jani Nano, në rolin episodik të një fshatari

Nëse e keni parë filmin tonë, do t’ju kujtohet, me siguri, në prolog, fytyra e pikëlluar dhe e rreptë e konteshës Vojsavë, nënës së Gjergjit të vogël. Këtë rol e luan aktorja e teatrit të Korçës, Krisanthi Kotmilo, dhuntia e jashtëzakonshme e së cilës u duk në shumë shfaqje të trupës modeste gjysmë amatore.

Do t’i jemi mirënjohës regjisorëve Sakrat Mio dhe Pandi Stillu, të cilët bënë aq shumë për krijimin e këtij kolektivi aktorësh që premtonin aq shumë dhe që ndërmorën mbi supe jo vetëm gjithë barrën e punës skenike, por edhe provën e një heroizmi pedagogjik, i pashmangshëm në kushtet e krijimit të një teatri të ri.

Emrat e regjisorit dhe aktorit Andon Pano, aktorëve Pjetër Gjoka, Marie Logoreci, Andrea Mane, Mihal Stefa, Lazër Filipi, Enver Dauti, Sulejman Pitarka, Viktor Gjoka dhe shumë të tjerëve, pavarësisht nga heterogjeniteti i dhuntive të tyre dhe shkalla e ndryshme e zotërimit të mjeshtrisë, do të hyjnë në historinë e teatrit shqiptar si emrat entuziastë e të vërtetë, si themelues të Teatrit Popullor në Tiranë, të spikatur jo vetëm me individualitetet e veçanta aktoriale por edhe kompaktësinë kolektive, trimërinë qytetare dhe besnikërinë e lartë për përtëritjen e atdheut të tyre.

https://www.youtube.com/watch?v=Ct-Xt9gDwO0

Exit mobile version