Site icon Telegrafi

Përurohet shtatorja e heroit Rexhep Halimi, vlerësohet lartë vepra dhe kontributi i tij për Kosovën

Komuna e Ferizajt, ka përuruar bustin e veprimtarit, heroit të Kosovës – Rexhep Halimi, duke e cilësuar si një gjurmë e historisë e lavdisë, përkujtim ndër breza për përpjekjen e sakrificën.

Në këtë ceremoni solemne të organizuar nga Komuna e Ferizajt, ishte i pranishëm edhe Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti

Para familjarëve të Dëshmorëve të Kombit, invalidë e veteranëve të luftës çlirimtare, veprimtarë të shquar atdhetar, krerë politik e institucional, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, tha se heroi kombëtar, Rexhep Halimi ishte veprimtar i orëve të para për lirinë e Kosovës.

“Ferizajt po i kthehet i bronztë e i pa vdekshëm, Heroi i Kosovës, Rexhep Halimi. Po ia rikthejmë Ferizajt veprimtarin atdhetar, heroin e Kosovës, po e kthejmë në bronz e të pa vdekshëm, me veprën e lavdin e tij, bashkëqytetarin tonë Rexhep Halimin. Ai ishte qëndistari i vërtetë, ai ishte i pathyeshmi e i pa lëkunduri në përpjekjen tonë për liri”, ka thënë Aliu.

Aliu ka shtuar se Rexhep Halimi ishte veprimtar i orëve të para për lirinë e Kosovës, ishte dhe mbetët referencë, sakrificë e përkushtimi emri i tij.

“Sot po përjetësohet në bronz për brezat e sotëm e të ardhshme, shkëmb i fuqishëm si forca e tij, vizioni e pathyeshmëri e tij. Baca Rexhep ishte edhe pasionant i fjalës së shkruar, i librit e i gazetave, revistave kulturore ku i shpërndau ato për breza të shumta në mërgim”, ka thënë Aliu.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka thënë se heroi Halimi është një veprimtar i cili nuk kurseu jetën as djersën në shërbim të çlirimit të shqiptarëve e në shërbim të çlirimit të Kosovës.

“Rexhep Halimi nuk i takon vetëm Ferizajt ose Kosovës, sepse ka qenë një veprimtar i cili nuk kurseu as jetë, as djersës, në shërbim të clirimit të shqiptarëve në shërbimit të çlirimit të Kosovës. Rexhep Halimi ka qenë frymëzim për në si gjeneratë më e re. Ka qenë një shembull frymëzimi për ne po edhe i qeshte nuri kur dëgjonte e lexonte për veprimtarët konkrete që bëheshin nga lëvizja popullore e Kosovës nga aktivistë e saj. Nuk ka protestë e propagandë që behej kundër pushtuesit e që të mos ishte baca Rexh”, ka thënë Ahmeti. /Telegrafi/

Exit mobile version