Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, si dhe kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, kanë përuruar bibliotekën e re e cila kishte nisur së ndërtuari nga ish qeverisja e kaluar e PDK-së në Shtime rreth 5 vjet më parë.
Për këtë objekt u tha se i plotëson të gjitha kushtet dhe nevojat e lexuesve, ndërkaq ajo i kishte kushtuar buxhetit të Ministrisë së Kulturës prej 629 mijë euro.
Kryeministri Kurti me këtë rast ka thënë se ky projekt ka filluar shumë vite më herët, por ka ngecur e stagnuar nëpër procedura burokratike, administrative e të lloj-llojshme, por përfundimisht tani ka gjetur zgjidhje të të gjitha problemeve brenda një kohe të shkurtër.
“Inaugurimi i çfarëdo objekti të dijes, është dhe duhet të jetë festë për të gjithë ne. Hapja e dyerve të ndërtesës së re të Bibliotekës së qytetit të Shtimes, sot shënon një ditë feste për arsimin, kulturën dhe për mbarë komunitetin e këtij qyteti. Biblioteka është vend i pasionit dhe i kureshtjes, i disiplinës dhe i përkushtimit e biblioteka e re është një vend i ri, është një vend më shumë për më shumë pasion e kureshtje për edhe më shumë njerëz të disiplinuar e të përkushtuar për më shumë dije e njohuri. Libri edhe më tej është burim tejet i rëndësishëm si i dijeve specifike, ashtu edhe i kulturës intelektuale’’, ka thënë midis të tjerash kryeministri Kurti.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu me këtë rast tha se është një ditë e veçantë për komunën derisa po e përurojmë një objekt të rëndësishëm që do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin intelektual, kulturor e historik në këtë komunë.
“Pikërisht në 80-vjetorin e themelimit të Bibliotekës Kombëtare, tri ditë pas përvjetorit të Kongresit të Manastirit e tri ditë para festës së flamurit tonë kombëtar të 28 Nëntorit, përplot krenari jemi mbledhur për përurimin e objektit të ri të Bibliotekës dhe Arkivës së Komunës së Shtimes, që do të shërbejë si dritare e dijes e si ruajtës i kujtesës sonë kolektive”, tha ai.
Pas këtij aktiviteti, të hënën, pati reagime edhe nga opozita me arsyetime se këtë objekt e kanë nisur vetë ata më 2019-n.
‘’Le ta gëzojnë qytetarët e Shtimes projektin e nisur nga qeverisja e PDK-së në vitin 2019, ndërtimin e Bibliotekës dhe Arkivit në Shtime. Ky projekt, i cili kaloi në dorë të qeverisë së LVV-së pas zgjedhjeve të 2021, tani po përmbyllet në vitin 2024. Komuna e Shtimes nën qeverisjen e PDK-së, e nisi këtë investim për të ofruar një hapësirë moderne për arsimin, kulturën dhe ruajtjen e trashëgimisë historike, duke kontribuar në zhvillimin e Shtimes’’, thuhet në njoftimin e PDK-së/ Telegrafi/