Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka përsëritur konkursin për guvernator të ri i cili do të jetë i hapur deri më 21 qershor 2023.
Pas dështimit të përzgjedhjes së guvernatorit nga Kuvendi i Kosovës, procesi kthehet në pikën zero dhe BQK-ja për herë të dytë ka shpallur konkursin për këtë pozitë.
Sipas njoftimit të BQK-së, emërimi do të jetë për një mandat pesëvjeçar duke filluar nga data e emërimit.
“Lista e kandidatëve që kualifikohen nga ana e Panelit do t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili do të përzgjedhë një individ. Miratimi dhe emërimi për këtë pozitë do të bëhet nga Presidenti/ja i/e Republikës së Kosovës në pajtim me nenin 84.27 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38.2 të Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në publikimin e fundit të BQK-së.
Ndryshe, procesi i përzgjedhjes së guvernatorit kishte ngecur në Komisionin parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, i cili kishte kërkuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca që ta kthej këtë proces në pikën zero.
Ditë më parë edhe shoqëria civile në vend është shprehur e shqetësuar me prolongimin e emërimit të guvernatorit të ri në BQK.
Për konkursin e parë deri më 16 dhjetor 2022 ka qenë afati i fundit për aplikim për të gjithë atë që kanë synuar këtë pozitë.
Fillimisht për të qenë në krye të BQK-së kishin aplikuar 11 persona. Për këtë pozitë u patën kualifikuar katër kandidatë: Ahmet Ismaili, Nexhat Kryeziu, Lulzim Ismajli dhe Shkëndije Himaj.
Prej 29 marsit, Bashkim Nurboja është emëruar ushtrues detyre i guvernatorit të BQK-së. /Telegrafi/