Prindërit zakonisht e kanë shumë të vështirë të përballen me frikën e fëmijëve nga terri. E sipas ekspertëve, një frikë e tillë nis saktësisht kur fëmijët të arrijnë moshën për të shkuar në çerdhe
Të mësuar të rrinë në shtëpi, ata ndjejnë një lloj boshllëku, posa që fillojnë të shkojnë në çerdhe.
‘Largimi’ nga nëna, edhe pse e pashmangshme, duhet të bëhet në mënyrë graduale. Megjithatë, ky largim shkakton te fëmijët frikën nga terri, gjë që ka të bëjë me frikën e braktisjes së tyre nga prindërit.
Edhe shkuarja në çerdhe, ndonëse te disa fëmijë nuk manifestohet me ndonjë problem të theksuar, i shqetëson ata, sepse përballen me një ndryshim.
Edhe ne të rriturit e dimë se përvojat e panjohura na shkaktojnë frikë të madhe, pasi që janë jashtë kontrollit tonë. Ndërkohë, fëmijët e shprehin ndjenjën e pasigurisë përmes frikës nga errësira.
Ndarja nga prindërit është pjesë e zhvillimit të çdo fëmije, por duhet bërë me hapa të vegjël.
Sipas ekspertit amerikan, John Bowlby, është shumë e rëndësishme që fëmija të ketë një bazë të sigurt, prandaj është e këshillueshme që para se të ndahen nga prindërit, t’ua përkujtoni që ta kenë gjithnjë në mendje nënën dhe babanë.
Një këshillë tjetër është që t’i jepni me vete një objekt që ta ruajë derisa të kthehet në shtëpi, i cili ua kujton dashurinë e prindërve, për shembull lodrën e tij të preferuar.
Natën është mirë që të qëndroni me fëmijët, derisa ata t’i zë gjumi. Edhe këtë radhë, është mirë që t’ua jepni ndonjë lodër, mbase ndonjë që ka “fuqi magjike”. Këto gjëra mund ta ndihmojnë atë që të luftojë me “përbindëshat” në errësirë. /Telegrafi/