Telegrafi

Selakoviq nuk ia përmend mbiemrin Gërvalla, reagon kryediplomatja kosovare: Ky mbiemër është vrimë e zezë për ndërgjegjen e Serbisë

Raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për situatën në Kosovë është diskutuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Pas raportimit të shefes së UNMIK-ut dhe diskutimeve të kryediplomatëve të Kosovës dhe Serbisë dhe përfaqësuseve të disa vendeve në KS të OKB, ka pasur një përplasje mes ministres së Jashtme Donika Gërvalla dhe kryediplomatit serb, Nikolla Selakoviq.

Përfaqësuesi i Serbisë në këtë takim, Nikola Selakoviq ka reaguar ndaj deklaratave të Gërvallës se Vuçiqi po përgatit agresion.

“Prishtina dhe Albin Kurti po konstruktojnë bazën e re për njësinë speciale. Cila është arsyeja e këtij veprimi. A nuk po përgatiten ata për një agresion ndaj serbëve që jetojnë në ato vende”, tha Selakoviq.

Ai ka përmendur edhe rastin e renovimit të shtëpisë së Xhafer Devës duke akuzuar këtë të fundit si drejtues i një divizioni nazist.

Ndaj deklaratës së Selakoviqit ka reaguar menjëherë minitsrja Donika Gërvalla.

“Ma përmendni vetëm mbiemrin Schwarz që është i burrit tim. Unë e kam mbiemrin Gërvalla. Por, ka arsye shumë të mira që nuk mund ta përmend [Selakoviq] atë mbiemër. Ka qenë Beogradi që ka dëbuar babain tim nga Kosova. Ai ka qenë gazetar dhe shkrimtar, por është vrarë nga shërbimi i sigurimit të Serbisë. Për këtë arsye ju e keni problem ta përmendni atë mbiemër. Është vrimë e zezë për ndërgjegjen e Serbisë ky mbiemër”.

Ajo ka përgënjeshtruar Selakoviqin se në Kosovë janë penguar serbët të votojnë.

“E drejta e votës në Kosovë respektohet për secilin qytetarë. Lexoni raportin e fundit të Bashkimit Evropian”, ka vazhduar Gërvalla./Telegrafi/