Mospajtimet publike të partnerëve të koalicionit qeverisës në Kosovë vazhdojnë të jenë evidente, e që sipas analistit politik Artan Muhaxhiri, ato janë pasojë e mungesës së një programi të harmonizuar qeveritar.
“Kjo qeveri është krijuar si rrufe, pa ndonjë harmonizim apo koordinim të programeve, prandaj aleatët nuk kanë homogjenitet”, tha Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.
Shkas për këtë përplasje të re, është bërë emërimi i Konsullit të Përgjithshëm të Republikës Kosovës në Pragë të Çekisë, Flakron Shala. Ky i fundit është djali i deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Haxhi Shala, vota e të cilit ka qenë vendimtare për formimin e Qeverisë Hoti më 3 qershor.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se askush nuk është koordinuar me të për emërimin e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës Kosovës në Pragë të Çekisë. Ai shtoi se qeveria është në proces të analizimit dhe rishikimit funksional të rrjetit të misioneve diplomatike.
Ky reagim i Hotit, erdhi pasi ushtruesja e detyrës së presidentit së Republikës, Vjosa Osmani tha se do ta “shfuqizojë këtë dekret të nënshkruar nga ish-presidenti Hashim Thaçi”, gjë të cilën e bëri më 25 nëntor.
Emri i Flakron Shalës ishte dërguar në zyrën e ish-presidentit Hashim Thaçi për dekretim, nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila është nga radhët e AAK-së.
A mund të mbijetoj koalicioni aktual?
Analisti Artan Muhaxhiri vlerëson se ka pak gjasa që qeveria aktuale të vazhdojë mandatin, pasi pos tjerash, nuk ka as shumicë parlamentare për kalimin e ligjeve.
“Kryeministri Hoti nuk e ka përkrahjen e plotë të aleatëve dhe për këtë shkak, atij i duhet të bëjë edhe kompromise në mënyrë që ta ruajë koalicionin. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë, prandaj edhe imponohen ndryshimet, ose rikonfigurimi i koalicionit qeveritar ose shkuarja në zgjedhje të reja”, tha Muhaxhiri.
Analisti Fitim Salihu po ashtu është skeptik në jetëgjatësinë e këtij koalicioni qeverisës.
“E para, ata (koalicioni) kanë problem me numrat në Kuvendin e Kosovës. Edhe në rast se partnerët kanë harmoni të plotë, unë i kam dyshimet e mia që ky koalicion i ka votat për të kaluar ligje të thjeshta. Po ashtu, problem është mungesa e koordinimit, e cila ka dëshmuar se mund të prishë edhe koalicione më stabile. Kjo mungesë po vërehet në koalicionin aktual”, tha Salihu.
Qeveria e Avdullah Hotit është votuar më 3 qershor me 61 vota të deputetëve, aq sa nevojitet për votimin e qeverisë. Ndërkohë, njëri nga deputetët i cili e ka përkrahur votimin e qeverisë, Etem Arifi, i është dorëzuar autoriteteve në Kosovë për vuajten e një dënimi me burg, për mashtrim me subvencione, prej një vit e tre muaj.
Historia pesëmujore e mospajtimeve
Që nga fillimi i qeverisjes, partnerët e koalicionit kanë pasur përplasje për disa vendime e veprime.
AAK-ja kishte kundërshtuar masat e para të Qeverisë Hoti kundër pandemisë, duke e kthyer prapa vendimin për testimin e detyrueshëm dhe karantinimin pas hyrjes nga territori i Shqipërisë.
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, kishte kritikuar ashpër shefin e qeverisë Avdullah Hoti, për mospërfshirjen e ministrit të Drejtësisë, Selim Selimin, nga radhët e AAK-së, në dialogun me Serbinë, duke kërcënuar madje me prishje të koalicionit.
Mospajtime brenda koalicionit qeverisës ka pasur edhe për emërimin e Skender Hysenit në postin e koordinatorit shtetëror për dialog me Serbinë nga kryeministri Avdullah Hoti.
Përplasje e akuza në distancë ishin bërë edhe me rastin e patrullimit të forcave serbe në fshatin kufitar me Serbinë, Karaçevë.
Hoti kishte thënë se s’ka nevojë për defilime në Karaçevë, pasi kufijtë e Kosovës janë të sigurt” duke iu referuar një vizite që i kishte bërë këtij fshati, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Madje edhe në mbledhjen e qeverisë, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, që vjen nga AAK-ja pati shprehur qëndrim ndryshe nga ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu nga LDK-ja rreth “patrullimit të sinkronizuar” ndërmjet misionit të KFOR-it dhe Forcave të Armatosura serbe. Përderisa Veliu tha se ishte njoftuar se ky ishte një “patrullim i sinkronizuar”, Haradinaj-Stublla tha se ai ishte “patrullim i përbashkët” ndërmjet forcave serbe dhe KFOR-it, gjë për të cilën, sipas saj, askush nuk mund të japë autorizim.
AAK-ja kishte pakënaqësi edhe me marrëveshjen e Uashingtonit, ku pak para nënshkrimit kishin kërcënuar me largim nga qeveria, për shkak të siç patën thënë, “përfshirjes së Liqenit të Ujmanit në këtë marrëveshje”.
Hoti e Haradinaj kanë pasur mospajtime edhe për vendimin e qeverisë për shuarjen e Task-Forcës anti-korrupsion. Haradinaj ka deklaruar se “shkarkimi i kësaj force shkakton pasiguri juridike, pasi e njëjta ka hetuar dhe po hetonte raste të profilit të lartë”.
Por, kryeministri Hoti insistonte se qeveria është e vendosur për të forcuar rendin ligjor dhe se ‘siguria juridike garantohet vetëm duke respektuar Kushtetutën, ligjet dhe institucionet shtetërore’.
E pas konfirmimit të aktakuzave të para nga Dhomat e Specializuara, AAK-ja kërkoi nga qeveria që të ndërpresë dialogun me Serbinë. Por, edhe kjo kërkesë u hodh poshtë nga kryeministri Hoti.
Takimi ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë, në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Bruksel, 7 shtator, 2020.
Ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 10 nëntor, tha se “dialogu nuk duhet të përdoret asnjëherë për qëllime të ngushta, siç po veprojnë disa”.
Zgjedhja e presidentit, vendimtare për fatin e koalicionit
Partnerët e koalicionit kanë edhe pesë muaj kohë për arritjen e dakordimit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, post ky që u bë pjesë e kalkulimeve politike pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili dha dorëheqje më 5 nëntor.
Cilat janë telashet e koalicionit LDK-AAK?
Analisti Artan Muhaxhiri thotë se asnjë lider politik, qoftë edhe zoti Haradinaj, nuk mund ta kërkojë postin e presidentit, duke e larguar vëmendjen nga konteksti i përgjithshëm i asaj me të cilën po përballet vendi.
“Jemi në një situatë absurde, ku qeveria ka probleme ta sigurojë një shumicë të thjeshtë, mirëpo në anën tjetër edhe opozita është aq e paqartë saqë nuk gjen gatishmëri dhe vullnet për ta rrezuar qeverinë dhe për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme”, vlerësoi Muhaxhiri.
Por, analisti Fitim Salihu parashikon që megjithatë në fund do të ketë një marrëveshje për presidentin, që do të evitojë zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Nuk mund të them nëse do të jetë marrëveshje me PDK-në (Partinë Demokratike të Kosovës), apo nëse do të jetë marrëveshje vetëm PDK me LDK-në, pa AAK-në, pasi mendoj që të gjithë do të provojnë t’i evitojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme, meqë nuk iu konvenojnë”, tha Salihu.
LDK-ja kërkon marrëveshje të gjerë për presidentin
Më 24 nëntor, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka paralajmëruar thirrjen e një takimi me liderët e partive politike për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Ai ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme, nuk janë opsion.
Deri më tash, vetëm lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ka shprehur hapur synimin për t’u bërë president i vendit, por ai nuk është mbështetur nga LDK-ja.
AAK-ja ka thënë në vazhdimësi se nëse kandidati i tyre nuk zgjidhet president, atëherë do të shkohet në zgjedhje të parakohshme. /REL/Telegrafi/