Nga: Steve Rosenberg / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Kursk.
Kjo është njëra nga fjalët e para për çfarë shkrova dhe fola si korrespondent i BBC-së.
Në vitin 2000, raportova për fundosjen e nëndetëses Kursk në ujërat e akullta të Detit Barents. Njëqind e tetëmbëdhjetë marinarë u vranë.
Vladimir Putini ishte president për më pak se gjysmë viti. Ende më kujtohet se si kanalet televizive ruse e gozhduan për menaxhimin e katastrofës.
Në këtë javë bëhen 24 vjet qëkur u fundos nëndetësja K-141 Kursk. Dhe, edhe një herë fjala Kursk po mbush njoftimet e mia nga Rusia. Kësaj radhe Rajoni i Kurskut, ku trupat ukrainase nisën inkursionin e tyre të befasishëm dhe ku prej nëntë ditësh e kanë pushtuar territorin.
E njëjta fjalë.
Por, Rusia e vitit 2024 është shumë më ndryshe se Rusia e vitit 2000.
Këtë herë në televizionet ruse nuk ka asnjë kritikë ndaj presidentit Putin; nuk ka dyshime në vendimmarrjen e tij; asnjë sugjerim se pushtimi i tij në Ukrainë e ka sjell këtë moment dramatik. Pastaj, Kremlini ka pasur çerek shekulli kohë për ta vendosur kontrollin e rreptë mbi mediat ruse dhe komunikimet.
Edhe në këtë realitet, a do të dëmtojnë këto ngjarje Vladimir Putinin?
Është pyetja që më është shtruar shumë herë gjatë viteve të fundit:
– Në vitin 2022 kur Ukraina fundosi luftanijen Moskva, anijen e flotës ruse të Detit të Zi.
– Përsëri, disa muaj më vonë, pas tërheqjes së rrufeshme të trupave ruse nga verilindja e Ukrainës.
– Dhe, përsëri në vitin 2023, gjatë rebelimit të Wagner-it, kur mercenarë e armatosur marshonin drejt Moskës – një sfidë e drejtpërdrejtë për autoritetin e Vladimir Putinit.
Mesa duket, presidenti Putin i kaloi që të gjitha këto i padëmtuar. Ai do të jetë i sigurt se mund ta kapërcejë këtë sfidë të fundit.
Por, ka diçka tjetër. Rebelimi i Wagner-it përfundoi brenda një dite.
Ofensiva e Ukrainës brenda Rusisë ka vazhduar për më shumë se një javë. Sa më gjatë që vazhdon, aq më i madh do të jetë presioni mbi udhëheqjen ruse dhe, potencialisht, aq më shumë do të dëmtohet autoriteti i presidentit Putin.
Përgjatë 25 vjetëve të tij në pushtet, Putin e ka kultivuar imazhin e “Mr Security” [Z. Sigurimi], si njeriu i vetëm në këtë vend të madh që është i aftë t’i mbajë rusët të qetë e të sigurt.
I ashtuquajturi “operacioni special ushtarak” i tij (pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës), iu prezantua popullit rus si një mënyrë për të rritur sigurinë kombëtare të Rusisë.
Dy vjet e gjysmë pas kësaj lufte, nuk ka shumë shenja këtu për “qetë dhe sigurt”.
Ka më shumë NATO në kufijtë e Rusisë – me Suedinë dhe Finlandën që i janë bashkuar Aleancës së NATO-s; qytetet ruse janë nën sulm të rregullt të dronëve ukrainas; ushtarët ukrainas tani po pushtojnë në territorin rus.
Nëpërmjet fjalëve të zgjedhura, Vladimir Putini po përpiqet t’i tregojë publikut rus se nuk ka nevojë për panik.
Kur i referohet inkursionit ukrainas, ai shmang përdorimin e fjalës “pushtim”. Në vend të kësaj, ka folur për “situatën në zonën kufitare” apo për “ngjarjet që po ndodhin”. Po ashtu, udhëheqësi i Kremlinit e ka quajtur ofensivën ukrainase si “provokim”.
Çfarë do të bëjë më pas presidenti rus?
Mos prisni se do ta kap telefonin dhe do ta telefonojë Kievin. Zyrtarët rusë e kanë bërë të qartë se, pas sulmit ukrainas, ata e kanë pezulluar idenë e bisedimeve të paqes.
Jo se ishte planifikuar të zhvillohej ndonjë negociatë në shkallë të gjerë.
Në fakt, këtë javë Vladimir Putini njoftoi saktësisht se cili është qëllimi i tij: “… të largojë armikun nga territori rus”.
Është një gjë ta thuash këtë. Krejt tjetër ta bësh. Pavarësisht vendosjes së përforcimeve në rajonin e Kurskut, ushtria ruse ende nuk e ka rimarrë kontrollin në këtë pjesë të Rusisë.
U befasova kur po ecja pranë Kremlinit, të enjten në mëngjes.
Derisa punëtorët po vendosnin ndenjëset dhe ekranet për një ngjarje, kënga klasike e Edith Piafit Non, je ne regrette rien (Jo, nuk ndjej keqardhje për asgjë) ishte lëshuar në një ekran të madh dhe po bënte jehonë në Sheshin e Kuq.
Ishte moment shumë surreal.
Vladimir Putini nuk ka shfaqur asnjë shenjë keqardhjeje për fillimin e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.
Nuk është penduar për vendimet që ka ndërmarrë që atëherë.
Nëse deklaratat e tij publike pasqyrojnë gjendjen e tij aktuale mendore, ai ende beson se ka vetëm një rezultat të mundshëm të kësaj lufte: fitoren e Rusisë. /Telegrafi/